DURRËS- Projekti i quajtur “TID, Transformimi i Integruar i Durrësit”, është një iniciativë që, sipas qeverisë, synon revitalizimin urban të zonës historike dhe është zhvilluar bashkërisht nga Qeveria, Bashkia e Durrësit dhe Fondacioni Shqiptaro‑Amerikan për Zhvillim (AADF). Qëllimi i këtij projekti është restaurimi i rrugëve, fasadave historike dhe krijimi i një hapësire turistike që integron monumentet arkeologjike me funksione bashkëkohore urbanistike.
Por për banorët e zonës, ky projekt nuk është vetëm një plan zhvillimi; ai është kërcënim real për shtëpitë, historinë familjare dhe vazhdimësinë e komunitetit autokton në këtë zonë.
Për rreth 7 muaj në protestë, në vijën e parë të saj kanë qenë gratë dhe vajzat durrsake, të cilat e kanë organizuar protestën që nisi në mënyrë spontane dhe më pas i dhanë jetë dhe zë, duke kundërshtuar me forcë këtë projekt. ZËRI për 8 Mars zgjodhi që të vendosë në fokus pikërisht këtë komunitet dhe këto vajza dhe gra, duke i pyetur se si nisi, si u organizuan dhe si vendosën që të ishin ato ‘megafoni dhe zëri’ i të gjithë banorëve apo 75 familjeve të prekura nga ky projekt.
Senada Laçi është një vajzë e re durrsake e cila është e prekur nga ky projekt, ku shtëpia e saj rrezikon të shembet. Ajo na tregoi dëshmi se si shtëpia e saj ishte aty prej gati 100 vitesh, e paprekur.
E ndjekim!
“Zona për të cilën projekti, le të themi, e ka marrë në dorëzim, dhe për të cilën po flasim, është zona historike, është qendra historike e qytetit të Durrësit. Ju mund ta shikoni mjaft mirë që anash janë muret rrethues dhe në fund është Torra. Brenda mureve rrethues, shtëpitë që janë ngjitur me murin do të thotë që ky qytet ka pasur vijimësi. Pra, këto mure dhe këto shtëpi kanë qenë gjatë gjithë kohës ekzistuese. Nuk janë ndërtesa të ndërtuara më mbrapa,” tha Senada Laçi për ZËRI-n.
Ajo thekson se e bukura dhe e veçanta e kësaj rezistence ka të bëjë me faktin se e gjithë revolta nisi në mënyrë spontane nga vetë banorët, fillimisht nga shumë pak banorë, pa udhëheqje politike, pa skenar, thjesht me bindje se do të rezistonin përballë kësaj padrejtësie që po u bëhet sipas tyre.
Loreta Koleci: “Është muaji i shtatë pothuajse i protestës. Pyetja ime është: Si u organizuat me njëra-tjetrën?”
Senada Laçi: “Domethënë, një ditë të bukur vjen një person dhe thotë: shiko se unë këtë shtëpinë tënde dua ta bëj lulishte. Domethënë, të vjen të troket në derë dhe të thotë: Tani merr plaçkat dhe ik. Ne kjo na ka indinjuar shumë dhe nuk mund të ishim dakord me këtë. E nisëm bashkë, u grumbulluam... protestat e para kanë qenë le të themi kështu, me një lloj iniciative disi naive, por edhe me këmbëngulje që ne nuk mund ta pranojmë. Ishim shumë pak veta, sepse një pjesë e mirë e banorëve jetojnë edhe jashtë. Ne jemi aty, kemi zënë, kemi bllokuar rrugën. Ne gratë, gocat e këtij komuniteti. Nuk e di, ndoshta kemi më forcë të brendshme kundrejt padrejtësive. Jemi mendoj… se jemi më të forta.”
Loreta Koleci: “Do të doja thjesht një mesazh nga ti për të gjitha ato gra që sot mbase kanë probleme të tilla me pronat e tyre.”
Senada Laçi: “Mos kini frikë. Çfarëdo lloj tentative për t’ju intimiduar, jini të sigurta për veten tuaj, bëhuni shembull për fëmijët tuaj, për gjithë rrethin që ju shoqëron dhe për gjithë njerëzit që ju shikojnë me një lloj admirimi apo vlerësimi. Bëhuni bashkë dhe mos kini frikë.”
Nëse do flisnim për protestën e Durrësit, nuk mund të mos merrnim në intervistë pikërisht atë gruan e moshuar me megafon, e cila është Rita Kazazi, zëri i palëkundur i kësaj proteste, siç e cilësojnë në fakt edhe të gjithë banorët. Rita jeton në lagjen nr.3 dhe shtëpia bashkë me dyqanin ndodhet në vijën e parë të Bulevardit Epidam, pra preket drejtpërdrejt nga projekti. Rita tha për ZËRI-n se edhe pse në një moshë të thyer, e bëri që të revoltohet mënyra se si ndodhi e gjithë kjo situatë; shtëpia e saj, të cilën e ka ndërtuar bashkë me bashkëshortin me mund dhe sakrificë, do të shembej.
Loreta Koleci: “Rita, ti ke qenë zëri i protestës së Durrësit. Çfarë të bëri të revoltohesh kaq shumë?”
Rita Kazazi: “Po, zëri kam qenë e do jem derisa të jem me këmbë në tokë vetë. Më bëri të revoltohem se është një padrejtësi shumë e madhe që po na bëhet mua dhe shumë qytetarëve.”
Loreta Koleci: “Çfarë mendon kur shkon në protestë?”
Rita Kazazi: “Me shpirt mbroj shtëpinë time edhe shtëpitë e komshinjve të mi.”
Mesazhi që dha Rita në këtë 8 Mars është në fakt një mesazh që na bën të reflektojmë se sa forcë kemi brenda vetes, secila dhe secili nga ne, pa dallim gjinie dhe moshe.
“Forca e gruas është më e madhe se e burrave. Në Rrjoll i ke parë gratë edhe gocat si luftojnë? Ashtu duhet të luftojnë edhe këtu në Durrës. Mos të rrinë duke parë telenovela në shtëpi, por të dalin të kërkojnë të drejtat e tyre. Sot më ra plani mua, nesër i bie pallateve. Duhet të jenë të bashkuar për një qëllim,” përfundon rrëfimin e saj Rita Kazazi.
Revolta e komunitetit durrsak, sidomos dhe këmbëngulja e vajzave dhe grave të këtij qyteti është një dëshmi se si s zëri i një komuniteti nuk mund të injorohet, dhe se kur rezistenca lind nga bindja dhe solidariteti, asnjë projekt nuk mund të fshijë historinë dhe dinjitetin e njerëzve. /ZËRI