
TIRANË- Trupi i Arben Lleshit, i vrarë rreth 2 muaj më parë brenda burgut të Peqinit, mbetet në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Kjo pasi familjarët nuk e tërheqin për shkak të frikës nga hakmarrja. E gjendur në një situatë të tillë IML i ka kërkuar Prokurorisë së Elbasanit të japë leje për varrimin e Lleshit. Kjo e fundit ka deklaruar se do ta miratojë lejen dhe më pas është drejtoria përkatëse pranë Bashkisë që kryen varrimin e Arben Lleshit. Arben Lleshi, u vra mesditën e 15 dhjetorit brenda qelisë së tij në burgun e sigurisë së lartë në Peqin nga Sokol Mjacaj. Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë.