Video

Tirana ndjen "ethet" e Serbisë, vendi në shtetrrethim

Të gjithë bizneset rreth stadiumit janë mbyllur, ndërkohë që është njoftuar se 1500 forca policie do të angazhohen në terren por edhe në shoqërimin e dy ekipeve.

F.m
Tirana ndjen "ethet" e Serbisë, vendi në shtetrrethim
Ndeshja

TIRANË- Autoritetet kanë nisur të marrin masa për 7 qershorin, ditën kur Tirana do të kthehet në kryeqendrën e tifozëve të Kombëtares dhe jo vetëm. Në orën 20:45 pritet të luhet përballja mes Shqipërisë dhe Serbisë për kualifikimin në Kupën e Botës. Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë do të luhet me tifozë të përzgjedhur nga një short elektronik që do të "hidhet" nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Procesi i shortit elektronik do të kryhet më datë 3-4 qershor dhe vetëm ata që do të përzgjidhen përmes shortit elektronik do të marrin një link të personalizuar në llogarinë e tyre në email. Kjo ka bërë që të ketë polemika nga tifozët dhe mbështetësit e Kombëtares Shqiptare të Futbollit, pasi fakti që shorti do të mbahet vetëm tri ditë para ndeshjes bën që ata që jetojnë jashtë vendit të hasin probleme në gjetjen e një bilete apo akomodimi. Për këtë ndeshje nuk mungojnë as masat e sigurisë. E gjithë zona e stadiumit "Arena Kombëtare" është vendosur në "shtetrrethim". Të gjithë bizneset rreth stadiumit janë mbyllur, ndërkohë që është njoftuar se 1500 forca policie do të angazhohen në terren por edhe në shoqërimin e dy ekipeve. Fokusi më i veçantë do t'i jepet skuadrës së Serbisë. Nga momenti i mbërritjes në Tiranë, një ditë para ndeshjes dhe deri në largimin nga Shqipëria, ekipi do të shoqërohet me eskorta. Në terren do të jetë edhe anti-terrori, ndërsa për çdo rast mund të përfshihet edhe RENEA. Shërbimi Informativ Shtetëror, ose SHISH, ka nisur prej kohësh të monitorojë rreziqet e mundshme, ndërsa masat përfshijnë edhe sigurinë brenda stadiumit. Federata ka marrë masat për përdorimin e kamerave specifike që bëjnë identifikimin me fytyrë të çdo tifozi që mund të bëjë sjellje të pahijshme.

Poll

MOS HUMB