
TIRANË- SPAK ka mbyllur hetimet për dosjen "Metamorfoza 2" duke dërguar kështu për gjykim 11 persona, mes tyre edhe ish-funksionarët e Policisë së Shtetit, Erzen Breçani dhe Dedan Gjoni. Të gjithë akuzohen se janë pjesë e një grupi kriminal me role dhe detyra specifike nga financimi dhe porositja, deri te transporti e shpërndarja e lëndëve narkotike. Droga vinte nga vendet e Amerikës Latine,e siguruar nga i ndjeri Ergys Dashi dhe më pas shpërndahej nëpër Europë nga Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit. Si porositës dhe financues të blerjes së drogës janë identifikuar Ismail Zeneli, Artan Sulejmani dhe Eralbi Breçani. Erzen Breçani pastronte paratë e grupit, ndaj edhe i janë sekuestruar: 1-Shoqëria “HEC DRITA ENERGY”, një “Audi Q8”, një “Mercedez Benz” dhe një llogari bankare në shumën prej 75.000 (shtatëdhjetë e pesëmijë) euro. Grupi shfrytëzoi pozitat zyrtare të disa funksionarëve të agjencive ligjzbatuese shqiptare, në këtë rast Dedan Gjoni dhe Jonida Babameton, në mënyrë që disa prej anëtarëve të grupit t'i shpëtonin drejtësisë. Ky grup i strukturuar kriminal është i përfshirë dhe në disa tentativa vrasjeje. Ismail Zeneli në bashkëpunim me Bujar Ajetin, Adrian Cenajn dhe Dedan Gjonin kanë bashkëpunuar për të vrarë Edmond Nelën, Albert Nelën dhe Xhem Krasniqin. Po ashtu, rezulton se Bujar Ajeti, Adrian Cenaj dhe Erzen Breçani kanë përkrahur vrasësin me pagesë, tashmë të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani që të kryente disa vrasje për llogari të personave të lartpërmendur. Madje Cenaj dhe Ajeti e kanë strehuar disa herë Dumanin në mënyrë që t'i shpëtonte Policisë. Ajo që bie në sy është fakti që edhe pse ishte e pjesë e përgjimeve, SPAK nuk ka ngritur asnjë akuzë ndaj Ervin Matës.