
TIRANË- SPAK ka mbyllur zyrtarisht hetimet për skemën e pastrimit të 1.25 milionë eurove të dy vëllezërve të dënuar për trafik droge në Belgjikë. Pjesë e kësaj dosjeje është edhe ish-zyrtarja, ish-drejtoresha e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi. Sipas SPAK, nga viti 2010 deri në 2023, vëllezërit Besjan dhe Leonard Ramaj së bashku me të njohurin e tyre Ardjan Malasin kanë kryer veprime sistematike, të vazhdueshme të kundërligjshme me qëllim pastrimin e të ardhurave që kanë përfituar nga kryerja e aktivitetit kriminal, përmes investimit në pasuri të paluajtshme, kryerjes së veprimeve për shitblerje dhe transferim në vazhdimësi të pronësisë, si dhe përmes lëshimit të faturave fiktive nga shoqëritë tregtare të tyre për qëllime të justifikimit të burimit të ligjshëm. Për të realizuar planin e tyre, ata janë ndihmuar nga ish-zyrtarja Dashi, e cila sipas SPAK, është përfshirë në disa veprime të kryera pas vitit 2018, në bashkëpunim me të pandehurit Besjan Ramaj dhe Ardjan Malasi. Dashi është përfshirë në kryerje të veprimeve juridike haptazi fiktive, si dhe në veprime të tjera të kryera gjatë investimit në pasuri të paluajtshme të të ardhurave që dihet që kanë origjinë të paligjshme apo veprime të tjera juridike të kryera në lidhje me to. Dashi ka pohuar se e njihte një prej vëllezërve, me të cilin ka një djalë, por që Besjan Ramaj nuk ia njihte atësinë.