
TIRANË- Jurgis Çyrbja është deputeti i radhës që heq dorë nga mandati për t’ju bashkuar kolegëve të tij në qeli. Më 9 tetor, Çyrbja dorëzoi mandatin e deputetit me argumentin se ishte i sëmurë dhe do të kurohej, por dy ditë më vonë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e mori zyrtarisht të pandehur për veprën penale “shpërdorim detyre”, pas finalizimit të hetimeve të nisura pas kallëzimit të demokratit Edi Paloka, i cili e akuzonte se gjatë kohës që Çyrbja drejtonte hipotekën e Durrësit, kishte firmosur brenda të njëjtës ditë dy praktika për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm, duke sjellë mbivendosje të pronës.
Por aksioni i zhvilluar mbrëmjen e 20 tetorit nuk kishte lidhje me këtë çështje, por i shtoi ish-deputetit edhe tre akuza të tjera. Tashmë Çyrbja akuzohet dhe për “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.
Bashkë me ish-deputetin u vu në pranga dhe kunati i tij, Ahmet Masha, ndërsa në kërkim u shpall Altin Hajri, një personazh i njohur në botën e krimit dhe i përfshirë në pengmarrjen e vrasjen e Jani Prengës.
Ahmet Masha njihet edhe si "Meçe" dhe rezulton se është arrestuar edhe më herët për kontrabandë nafte. Emri i Ahmet Mashës lidhet edhe me Ylli Didanin, një shqiptar që banon në Miçigani, që në pamje të parë të jepte përshtypjen se ishte një biznesmen i suksesshëm me aksione në kompani në Shtetet e Bashkuara, Shqipëri dhe Kosovë, por që sipas agjencisë amerikane kundër drogës, DEA, Didani bënte një jetë të dyfishtë dhe kontrabandonte kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë dhe pastronte të ardhurat e paligjshme të drogës.
Nga bisedat e zhvilluara në "SkyEÇ", SPAK ka zbuluar se Çyrbja gjatë kohës që ka qenë deputet i Partisë Socialiste, ka strehuar Altin Hajrin, pronarin e kompleksit "Golden" në Shijak, i cili prej katër vitesh rezulton në kërkim si organizatori i rrëmbimit dhe vrasjes së Jani Prengës në janar 2020.
Gjithashtu, në 7 raste i ka treguar informacione sekrete për goditjet që do të bënte Policia kundër Hajrit, duke e lajmëruar të fshihej si dhe ka ndërhyrë edhe në organet ligjzbatuese. Informacionin herë e dërgonte vetë dhe herë të tjera ia dërgonte "mesazhin" me anë të kunatit të tij. Në fund, qëllimi ishte i njëjtë; këta personazhë të botës së krimit të mos përfundonin në pranga!
Por kush ia jepte këtë informacion Çyrbjas?
SPAK thotë se bëhet fjalë për funksionarë publik që janë të paidentifikuar deri në këtë fazë të hetimit, të cilët kanë vënë në dijeni Çyrbjan për çdo aksion të ndërmarrë për kapjen e Hajrit, duke çuan në dekonspirimin e tij.
Nga aksioni i SPAK, në banesën e Çyrbjas janë gjetur dhe sekuestruar: telefona, dokumenta, një hard-disk dhe një pajisje përgjimi.
Hetimet tregojnë se ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja nuk ka pasur marrëdhënie të afërta vetëm me një personazh të njohur të botës së krimit në Durrës. Përkundrazi, në bisedat në aplikacionin "SkyECC" ka dalë në skenë edhe emri i Edmond Koçit, i njohur si “Mond Çekiçi”.
Gjithashtu gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje të tjera nga dosja dhe deklaroi se ish-deputeti ka ndihmuar me informacione edhe Kreshnik Budlla Farrukun. Kjo gjë gjen bazim dhe në faktin që në një operacion të zhvilluar, Farruku nuk u gjet në banesë. Efektivët u përballën me darkën e shtruar, ç’ka nënkuptonte se Farruku kishte marrë infromacione dhe ishte larguar. Por, mbi tryezë kishte lënë celularin e tij të hapur, që sot gjendet në duart e hetuesve.
Dhe personazhë të tillë, të botës së krimit, sipas SPAK, kanë ndikuar që Jurgis Çyrbja të ishte në listën e sigurt të kandidatëve për deputet në qarkun e Durrësit. Vetëm se ndryshe nga Altin Hajri, “Mond Çekiçi” nuk e ndihmoi dot për të mbledhur vota, pasi u ekzekutua me armë zjarri në 20 mars 2021.
Në momentin që Lefter Koka hoqi dorë nga mandati pa e bërë fare betimin në Kuvend, Çyrbja rezultoi të ishte deputeti i tretë më i votuar në Durrës pas kryeministrit Edi Rama dhe Rrahman Rrajës. Ai kishte grumbulluar plot 6 mijë e 583 vota.
Tashmë vendin e Çyrbjas pritet ta zërë Erjon Meka.
Hetimet e mëtejshme do të na zbulojnë bashkëpunëtorët e ish-deputetit në këtë karrierë politike që i zgjati vetëm 7 vite, por që siç duket ka gumbulluar njerëz të të gjitha fushave.
Deri në vitin 2017, ai drejtonte Hipotekën e Durrësit dhe u bë i njohur për regjistrimin e ish-Hotel Vollgës, pronë për të cilën, Emiljano Shullazi, i dënuar disa herë për krime të ndryshme, kishte interes.
Ditët në vijim do të na tregojnë edhe pozicionin që do të mbajë vetë Çyrbja, çfarë do të rrëfejë ish-deputeti përpara drejtësisë?