Video

Plarent Ndreca merret zyrtarisht i pandehur nga SPAK

Në vitin 2019, Ndreca zhvilloi disa tendera për rindërtimin e komisariateve të policisë në rrethe të ndryshme të vendit.

F.m
Plarent Ndreca merret zyrtarisht i pandehur nga SPAK
Plarent Ndreca

TIRANË- Plarent Ndreca është thirrur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për tu njohur zyrtarisht me akuzën “Shkelje e barazisë në tendera”. Bashkë me të, janë marrë të pandehur edhe disa zyrtarë të tjerë si dhe anëtar të komisionit të vlerësimit të ofertave, emrat e të cilëve nuk janë bërë ende me dije. Deputeti Ndreca u vu nën hetim në lidhje me procedurat për rikonstruksionin e 4 komisariateve në vend, në kohën kur mbante detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.

Në vitin 2019, Ndreca zhvilloi disa tendera për rindërtimin e komisariateve të policisë në rrethe të ndryshme të vendit. Pas një auditimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, vetë KLSH-ja bëri një kallëzim në SPAK. Për pasojë, në pyetje është marrë edhe ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili ka qenë në detyrë në kohën që janë kryer këto procedura. Lleshaj është pyetur si person në dijeni. Ndreca është akuzuar edhe nga Opozita.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka deklaruar më herët se Ndreca është nën hetim nga SPAK për shkelje të ligjit në tenderin e rikonstruksionit të disa komisariateve. Sipas Bardhit, Ndreca ka paracaktuar fituesin e tenderit dhe ka rritur fiktivisht vlerat e prokurimeve.

Poll

MOS HUMB