Video

Ilir Meta, "koka" e dytë e Opozitës që pritet

Pamjet e servirura në media tregonin momentin kur Meta tërhiqej zvarrë, por ajo që ka ndodhur para këtyre çasteve, mbetet mister. Partia e Lirisë ka deklaruar vazhdimisht se është ushtruar dhunë kundrejt Metës dhe sekretarit organizativ të Partisë së Lirisë, Artemis Peca që në momentin që kanë hapur dyert e mjetit, ndërsa Policia e Shtetit në versionin zyrtar është shprehur se ka qenë Meta ai që ka ofenduar efektivët.

Florida Mingla
Ilir Meta, "koka" e dytë e Opozitës që pritet
Ilir Meta dhe gazetarja Florida Mingla

TIRANË- Ka qenë ministër, Kryeministër, President, Kryetar Kuvendi, themeluesi dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim që së fundmi ka ndërruar emër në Partia e Lirisë, por sot Ilir Meta, ndodhet në një qeli paraburgimi në Bllokun e Sigurisë në rrugën “Mine Peza”.

Meta po kthehej nga Kosova për të mbërritur në selinë e Partisë së Lirisë ku do të mbante një konferencë me gazetarët, por në hyrje të Tiranës, u ndalua nga efektivët e policisë që i vunë prangat.

Pamjet e servirura në media tregonin momentin kur Meta tërhiqej zvarrë, por ajo që ka ndodhur para këtyre çasteve, mbetet mister. Partia e Lirisë ka deklaruar vazhdimisht se është ushtruar dhunë kundrejt Metës dhe sekretarit organizativ të Partisë së Lirisë, Artemis Peca që në momentin që kanë hapur dyert e mjetit, ndërsa Policia e Shtetit në versionin zyrtar është shprehur se ka qenë Meta ai që ka ofenduar efektivët.

Meta akuzohet për 3 vepra penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por Meta nuk është i vetmi që ka rënë në rrjetën e SPAK. Në “arrest shtëpie” është caktuar Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos), ndërsa Monika Kryemadhi dhe Ema Çomo janë lënë në “detyrim paraqitje”.

Për mbledhjen e të gjitha të dhënave janë kërkuar dhe marrë informacione nga 5 shtete, përveç Shqipërisë. Dokumentat kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austria, Italia, San Marino, dhe Qipro.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur dhe të gjashta episodet që rëndojnë mbi çiftin Meta-Kryemadhi.

Duke marrë shkas nga kallëzimet e bëra nga Romeo Karaj për dosjen “CEZ-DIA”, SPAK ka prerë fletën e arrestit për Metën, ndërkohë që njofton se hetimet ende vazhdojnë për kallëzimet e depozituara nga Halit Valteri dhe Idajet Beqiri.

Sipas SPAK, është provuar se në kohën kur Meta ka mbajtur postin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje. Kjo kontratë kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura. Këto marrëdhënie ngushtësisht të ndërlidhura kanë ndikuar drejtpërdrejtë në procesin e përzgjedhjes së DIA-s për të kryer shërbimet e mbledhjes së borxheve të CEZ-it, pavarësisht se shoqëria nuk përmbushte të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për të menaxhuar detyrime të kësaj natyre. Shoqëria “Debt International Advisory”, përmes kësaj marrëveshjeje ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 649,803,520 lekësh, e cila është konfirmuar nga një vendim gjyqësor i formës së prerë. Sipas SPAK, nga hetimet e deritanishme kanë zbuluar se Meta ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga biznesmeni Kastriot Ismailaj gjatë periudhës kur ai mbante funksionin e ministrit, kohë kur kishte për detyrë të përfshinte mbikëqyrjen e procesit të privatizimit të CEZ-it dhe lidhjen e kontratave për mbledhjen e borxheve.

SPAK gjithashtu ka dalë në përfundimin se gjatë kohës që Meta ishte kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, bashkë me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi në vitin 2014 kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis dy kompanive.

ZËRI ka raportuar më herët se bëhet fjalë për Unifi Comunications INC, e dhënë që u konfirmua dhe nga SPAK. Burrë e grua, sipas Prokurorisë së Posaçme, kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Ai është biznesmeni Adrian Shatku, që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është thirrur nga SPAK ku edhe është pyetur për njohjen me Metën dhe familjen e tij. Në verifikimin e Prokurorisë së Posaçme janë edhe komunikimet telefonike mes Shatkut dhe familjes Meta.

Shpenzimet e kryera nëpërmjet kartave, çifti Meta-Kryemadhi nuk i kanë deklaruar në deklaratat e pasurive nga të. 

Gjatë hetimit ka rezultuar gjithashtu se çifti Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë hyrë në marëdhënie korruptive me një biznesmen duke përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të bizmesmenit në fjalë. Kryemadhi, me porosi të biznesmenit në fjalë, ka marrë përsipër edhe ndryshimin e një ligji në Kuvendin e Shqipërisë, ligj i cili u ndryshua sipas kërkesës së biznesmenit. 

Përgjatë periudhës 2016-2017, kur Ilir Meta ishte kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka lidhur kontrata për shërbimi konsulence dhe lobimi me kompanitë Global Security and Inovative Solution LLC dhe Grupi McKeon Inc në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kontratat janë paguar nga llogaria bankare e LSI-së. Por shuma prej 463.546 USD nuk është transferuar nga llogaritë bankare dhe as nuk është pasqyruar në bilancet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim.

Për peridhën 2009-2010, Ilir Meta, Monika dhe Fatime Kryemadhi blenë një apartament dublex në “ish-bllok”, i deklaruar si i financuar me kredi bankare. Sipas SPAK, nga hetimi ka rezultuar se shuma prej 310,000 Euro që kanë shërbyer për blerjen e katit të parë të dublex-it, janë derdhur "cash" nga nëna e Kremadhit. Më pas, shuma 335,000 Euro e marrë kredi po nga nëna e deputetes është shlyer gjithashtu me para të depozituara në bankë të nivelit të dytë për vetëm 7 muaj. Nga marsi në nëntor, kredia u mbyll. Sipas SPAK, këto para dyshohet se kanë origjinën nga aktiviteti i paligjshëm i Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit dhe se kredia bankare është përdorur si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare.

Nga 2013-2019, as Ilir Meta dhe as Monika Kryemadhi nuk i kanë deklaruar shpenzimet mjekësore që i kishin kushtuar 106.125 Euro. Nga të gjitha këto para, rreth 87 mijë euro janë paguar me para të thata. I gjithe ky aksion është dënuar nga Opozita. Partia e Lirisë ka premtuar kundëpërgjigje dhe po në të njëjtën mënyrë ka reaguar edhe Partia Demokratike. Madje kryedemokrati Sali Berisha ka bërë me dije se më datë 29 tetor do të mbahet protesta e radhës në kuadër të nisjes së mosbindjes civile.

Meta është koka e dytë e Opozitës që pritet brenda vitit. Në të njëjtën datë, 21 tetor, një vit më parë, SPAK i komunikoi masën “arrest shtëpie” Berishës. Sot kemi dy lidera të mbyllur, një në burg, një në shtëpi dhe premtime e zëra për mosbindje civile. Mbetet për tu parë se si do të vijojë situata politikë në vend deri në zgjdhjet parlamentare të vitit 2025. Në dukje, do të jetë mjaft e nxehtë./ZËRI

Poll

MOS HUMB