
SHKODËR- Prekë Kodra është zotëruesi i kabinave në Theth që u kthyen në një ‘mollë sherri’ mes kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë së Shkodrës. ZËRI ka mësuar se Prek Kodra, i njohur ndryshe dhe si ‘snajperisti’ i dosjes Metamorfoza qëndron pas këtij investimi edhe pse në letra figuron një tjetër person. 48-vjeçari Kodra nga Malësia e Madhe është shpallur në kërkim, disa vite më parë pasi dyshohej se ishte pjesë e një plani për vrasjen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, deputetit Xhavit Haliti dhe një komandanti të UÇK-së me emrin Ismet Haxha.
Sipas dokumentit të Njësisë Kundër Terrorizmit, roli i Prek Kodrës në serinë e atentateve që kishin për qëllim destabilizimin politik të Kosovës, ishte ai i atentatorit. Ai përshkruhej si person që dinte se si të përdorte edhe armën e zjarrit të llojit "snajper". Sipas planit, fillimisht do të vritej Ismet Haxha, dhe më pas Xhavit Haliti. Një muaj pas vrasjes së deputetit të PDK-së, do të vritej edhe Albin Kurti për t’u dukur si akt hakmarrjeje.
Prekë Kodra ishte shpallur në kërkim dhe për dosjen "Metamorfoza”. Emri i tij doli dhe në përgjimet Sky ECC ku u zbuluan lidhjet e grupit "Bajri' me biznesmenin Pëllumb Gjoka, ish-shefin e operacionales Oltion Bistri dhe ish-prokurorin Xhevahir Lita. Nga dosja u zbulua se ky personazh që kishte marrë porosi dhe kishte siguruar kushtet dhe mjetet për të kryer disa vrasje. Rrëfimi i të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani zbuloi se Prek Kodra është edhe autor i atentatit ndaj Ardjan Çapjas. Emri i tij ka dalë edhe tek dosja e vrasjes së Kastriot Reçit, ngjarje kjo e ndodhur në Rrëshen në datën 7 janar 2020. Por për shkak se nuk gjendej në Shqipëri, marrja e një analize AND-je nga policia ka qenë e pamundur. Në korrik të vitit 2022, kur Kodra erdhi në Shqipëri, u shoqërua nga Policia dhe nga testimi i profilit të ADN-së së Kodrës me profilin e ADN-së të sekuestruar në banesën nga u qëllua me snajper Kastriot Reçi, nuk u gjetën të dhëna përputhshmërie.
Mediat kanë raportuar gjithashtu se Prek Kodra është arrestuar dhe në verën e vitit 2011 pasi kishte penguar mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Shalë të Shkodrës dhe se ishte simpatizant i njërës prej dy partive të mëdha në Shqipëri. Po ashtu, dyshohej edhe për lidhje të forta me mafien e Malit të Zi, me nipin e tij që pretendohet të jetë prangosur me substanca narkotike dhe të ketë pasur probleme ligjore me këtë vend.
Sot emri i tij lakohet si investitor. Ishte vetë kryeministri Edi Rama, i cili e konsideroi si një krim të kryer në zemër të Thethit ndërtimin e kabinave pa leje. Ai shprehej se rasti është referuar në Prokurori nga organet përkatëse, por nga ana e prokurores Elsa Gjeli nuk është ndërmarrë asnjë veprim dhe se këtë dosje do ta përcjellë në KLP. Ndërsa Prokuroria e Shkodrës thotë se rasti në fjalë nuk konsiderohet ndërtim pa leje pasi strukturat janë pa themele dhe të vendosura mbi pllaka guri./ZËRI