
TIRANË- Një europian shpenzon mesatarisht rreth 91 euro kur udhëton në një shtet tjetër të Europës, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat dhe që i përkasin vitit 2023. Monitor shkruan se për mesataren e eurozonës ky tregues rritet në 93 euro. Ky tregues përfshin fjetjen, ushqimin dhe pijet, transportin lokal, biletat e muzeve, aktiviteteve rekreative, etj.
Të dhënat më të fundit të Eurostat mbi shpenzimet mesatare për natë të turistëve europianë tregojnë një rritje të ndjeshme të buxheteve të dedikuara për udhëtime në vitin 2023, pas një rimëkëmbjeje të fortë të turizmit në të gjithë kontinentin. Në vitin 2022 shpenzimi ishte rreth 84 euro dhe në 2019-n rreth 77 euro. Ky indikator, shpenzimi mesatar për natë në udhëtimet ndërkombëtare, ofron një pasqyrë të rëndësishme për të parë se cili është niveli i turistëve për nga aftësia e fuqisë blerëse që viziton Shqipërinë. Italianët janë grupi i dytë më i madh i turistëve që vijnë në Shqipëri, pas Kosovës, me rreth 11% të totalit të hyrjeve, sipas të dhënave të INSTAT. Italianët etiketohen nga operatorët e tregut si më “koprracët”, që nuk shpenzojnë dhe bëjnë pazar për çdo gjë. Edhe të dhënat e Eurostat tregojnë se italianët janë më dorështrënguar se të tjerët në Evropë. Ata shpenzojnë mesatarisht në udhëtimet e tyre 78 euro në natë, ose 14% më pak se mesatarja europiane. Pak a shumë në të njëjtin nivel janë edhe francezët (79 euro), spanjollët (75 euro) dhe holandezët (75 euro). Ndonëse italianëve u ka dalë “nami” që janë dorështrënguar, ka një kategori tjetër që vjen në Shqipëri që duket se e zgjedhin vendin për çmimet e lira, për të cilat është reklamuar aq shumë në rrjetet sociale. Polakët dhe çekët janë ata që shpenzojnë më pak në udhëtimet e tyre në Europë, me rreth 50 euro/natë, gati sa gjysma e mesatares së Europës, sipas të dhënave të Eurostat. Edhe polakët janë konstatuar nga operatorët në vend si turistë që nuk shpenzojnë shumë. Turistët më të mirë për momentin në vend rezultojnë se janë gjermanët. Sipas Eurostat, ata shpenzojnë mesatarisht 117 euro në natë kur udhëtojnë nëpër Europë. Ndërsa austriakët janë turistët që shpenzojnë më shumë kur udhëtojnë në Europë, sipas Eurostat, me 155 euro në natë. Në Shqipëri ata zunë 0.6% të hyrjeve totale për 5 mujorin e parë 2025. Në vend të dytë janë maltezët (138 euro), të ndjekur nga Islanda (131 euro). Në listën e shpenzuesve më të mëdhenj janë dhe shtetet nordike, ku kryeson Norvegjia, me 127 euro/natë dhe Suedia me 108 euro, duke reflektuar fuqinë e lartë blerëse dhe prirjen për udhëtime me cilësi më të lartë (akomodim më i mirë, shërbime më të kushtueshme, restorante etj.). Tendenca të përgjithshme tregojnë se vendet me shërbime të zhvilluara, akomodim të standardeve të larta dhe infrastrukturë cilësore tërheqin një profil turistësh me buxhet më të lartë. Ndërkohë, vendet më të lira janë kryesisht destinacione për turizëm sezonal me turistë që nuk janë të gatshëm të paguajnë shtrenjtë për shërbimet që marrin./ZËRI/