Video

Ushqime të shtrenjta? Shqipëria mban rekord për peshën e bujqësisë në Evropë

Në Shqipëri, kontributi i bujqësisë në ekonomi ka ardhur duke u ulur në vite, pasi në vitin 2019, ky tregues ishte 21%, por sërish vendi mbetet më bujqësori në Evropë.

F.m
Ushqime të shtrenjta? Shqipëria mban rekord për peshën e
Foto ilustruese

TIRANË- Shqipëria po përballet me një paradoks, ku çmimet e ushqimeve për herë të parë në histori e tejkaluan mesataren e Bashkimit Europian, por ndërkohë vendi ka peshën më të lartë të bujqësisë në të gjithë Evropën. Sipas Monitor, të dhënat e fundit të Eurostat bënë të ditur se sektori i “bujqësisë, peshkimit dhe pyjeve” kontribuoi me 17.9% në krijimin e vlerës së përgjithshme ekonomike të Shqipërisë në vitin 2024. Kjo peshë është shumë më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Evropian prej 1.7%, por dhe më shumë se dyfishi krahasuar me shtetet e rajonit. Në vend të dytë është Kosova dhe në vend të tretë është Maqedonia e Veriut.

Në rajon, peshën më të ulët të bujqësisë e ka Serbia. Në Shqipëri, kontributi i bujqësisë në ekonomi ka ardhur duke u ulur në vite, pasi në vitin 2019, ky tregues ishte 21%, por sërish vendi mbetet më bujqësori në Evropë. Fakti që jemi vendi më bujqësor në Evropë nuk ka ndihmuar aspak që qytetarët e vendit të kenë produkte ushqimore më të lira. Përkundrazi. Të dhënat e tjera të Eurostat treguan se për herë të parë që nga viti 2005, kur njësia europiane e statistikave mat të dhënat, indeksi i Çmimeve të Ushqimeve dhe Pijeve jo Alkoolike për Shqipërinë e ka lehtë kaluar nivelin 100% dhe ka shkuar në 100.1%.

Kjo do të thotë se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë 1% më të shtrenjta se mesatarja e Bashkimit Evropian, në një kohë që të ardhurat sipas metodës së fuqisë blerëse janë sa 41% e mesatares së BE-së. Produktet më të shtrenjta ushqimore për familjet shqiptare në raport me BE-në janë vezët, djathi dhe qumështi, që kanë kërcyer në 131% të mesatares së BE-së, nga 119.5% vitin e mëparshëm. Shqipëria i ka çmimet më të shtrenjta dhe në raport me vendet e rajonit. Bujqësia shqiptare vuan nga problematika të thella që nisin nga që copëzimi i tokës, që nuk mundëson ekonominë e shkallës, subvencionimet më të ulëta se vendet e rajonit, konkurrueshmërinë e ulët, ndërprerjen e zinxhirit të vlerës si dhe emigrimin që ka ulur disponueshmërinë e fuqisë punëtore. Të dhënat e fundit të INSTAT bënë të ditur se sektori i blegtorisë është në rënie të lirë si për nga numri i krerëve dhe nga sasia e prodhimit. Sipas INSTAT u shënuan rënie të krerëve në të gjitha llojet e kafshëve për mish dhe qumësht, duke përfshirë edhe pulat gjate vitit 2024 në krahasim me 2023. Rënia e numrit të krerëve u reflektua edhe në nën-produktet mish dhe bulmet./ZËRI

Poll

MOS HUMB