
TIRANË- Një vit pas ndjekjes së skandaleve të njëpasnjëshme nga ZËRI, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko premton se do të ndërmarrë ndryshime ligjore me qëllim përmirësimin e tregut të kredive. Sipas Sejkos, do të ketë një kontroll më të rreptë për moshën e huamarrësve si dhe mbi mundësinë financiare që ata kanë për shlyerjen e kësteve. Gjatë fjalës së tij, Sejko nuk dha shpjegime se pse këto masa nuk ishin rishikuar më herët, ndërkohë që mijëra qytetarë ishin detyruar që të humbisnin pronat e tyre, për shkak të paaftësisë për shlyerjen e kësteve të mikrokredive. Sejko nuk dha detaje gjithashtu se cili do të jetë kufiri i moshës së lejuar për marrjen e kredive me interes të lartë, dhe as nëse punësimi do të jetë një kusht i detyrueshëm për aplikuesit pranë institucioneve mikrofinanciare.