
TIRANË- Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit ka vendosur që të bashkëpunojë me subjektet private për ristrukturimin e objekteve të amortizuara. Nga kjo marrëveshje do të zhvillohen ndërtime të reja dhe kulla që pritet të shkojnë deri në 41 kate. Disa prej institucioneve apo pronave që do të zhvillohen ndodhen në zona mjaft të lakmuara të kryeqytetit, konkretisht Komuna e Parisit, Bulevardi Zhan D’Ark, zona pranë Harry Fultz si dhe zona tek Inxhinieria e Ndërtimit në Tiranë. Në zonën e Komunës së Parisit, ndërtimi do të bëhet në vend që është përdorur si parkim për makinat shtetërore. Në bulevardin Zhan D’Ark shteti do të vërë në dispozicion një truall me sipërfaqe 2840 m2, aty ku ndodhen aktualisht Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar. Edhe trualli ku ndodhet Agjencia Shtetërore e Kadastrës pranë ‘’Zogut të Zi’’ do të rindërtohet. Tek Fakulteti i Inxhinierisë dhe Arkitekturës, do të ofrohet ndërtesa e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, që sipas procedurës duhet të shembet për shkak të dëmtimeve që ka marrë nga tërmeti shkatërrimitar i nëntorit të vitit 2019. Zona përfshin një sipërfaqe prej 3,000 m². Përmbledhja e kërkesave hapësinore duhet të përfshijë ambient të përshtatshëm për 153 punonjës, sa është dhe stafi i ATP-së.