
TIRANË- Shqipëria do të jetë aksionere në resortin turistik që do të ndërtohet në Sazan nga Jared Kushner, dhëndrri i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Kompania që do të përfaqësojë shtetin në këtë projekt tashmë është krijuar dhe më 26 qershor është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit me emrin "Albanian State Development & Real Estate".
Në këtë kompani, sipas ekstrakteve të depozituara në Qendrën Kombëtare te Biznesit, asioneri i vetëm i Shoqërisë është Korporata e Investimeve Shqiptare. Kapitali i shoqërisë është 50 milionë lekë, të zotëruara 100% nga Korporata e Investimeve Shqiptare. Kompania ka disa detyrime që duhet të përmbushë, duke përfshirë menaxhimin e aseteve dhe kontratës që do të nënshkruhet me Kushner për ishullin e Sazanit, por gjithashtu parashikohen edhe investime të tjera të ngjashme, pasi shkruhet se detyrë e kompanisë është edhe bashkëpunimi me shoqëri që mund të kenë në të ardhmen një objekt të ngjashëm. Administratori i kompanisë do të jetë Julian Adili, i cili aktualisht mban postin e drejtorit të Divizionit Ligjor dhe Përputhshmërisë në Korporatën Shqiptare të Investimeve. Gjatë karrierës së tij, Adili ka mbajtur disa poste në administratë, një prej tyre është ajo e drejtorit të Drejtorisë Ligjore brenda Departamentit Ligjor dhe të Prokurimit në Ujësjellësin dhe Kanalizimet e Tiranës, një pjesë e Bashkisë së Tiranës. Ai ka shërbyer edhe si zëvendësdrejtor i Drejtorisë Vendore në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës së Tiranës dhe si auditor në Kontrollin Suprem të Shtetit. Në detyrën aktuale, Adili përqendrohet në planifikimin strategjik dhe ekzekutimin e iniciativave të investimeve./ZËRI/