
TIRANË-Ish-prokurori Arjan Ndoja është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për të dëshmuar në lidhje me atnetatin që iu bë më 1 tetor të vitit 2019 në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, ngjarje në të cilën u vra shoferi i tij, Andi Maloku. Ndoja ka rrëfyer se në ditën e atentatit, ka drekuar me Aleksandër Lahon, të njohur edhe si Rrumi i Shijakut dhe Enver Shabën. Pas drekës ai tregon se është nisur bashkë me shoferin e tij, por në momentin që janë afruar drejt mbikalimit, janë përballur me sulmin me armë zjarri. Ndoja, që në shtator do të futet në Kuvend si deputet i Partisë Demokratike, nuk ka arritur që t’i njohë atentatorët, por që është i bindur se atentati ka qenë për të, për faktin se në sediljen e tij ka pasur 13 predha. Në këtë seancë, Ndoja është ballafaquar edhe Plaurent Dervishajn dhe Julian Meçajn, të cilët janë ekstraduar nga Dubai. Dervishaj akuzohet si organizatori i atentatit, ndërsa Julian Meçe, si një nga personat që ka qëlluar.
Ai ka deklaruar se është takuar vetëm njëherë me Plaurent Dervishajn, ndërsa për Julian Meçen thotë se i njeh vetëm të atin, me të cilin ka punuar./ZËRI