TIRANË- Nënkomisari Edmond Ruçi, specialist për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u arrestua mbrëmjen e 19 majit nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Ruçi dyshohet se ka përdorur informacionet hetimore për të favorizuar persona të përfshirë në veprimtari kriminale, kundrejt përfitimeve financiare. Raportohet se përgjimi ambiental i dy shpërndarësve të lëndëve narkotike ka çuar në ndalimin e Ruçit nga AMP, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv”. Mësohet se gjatë shoqërimit të tyre, në ambientet e dhomave të ndalimit janë instaluar pajisje përgjimi, gjë që ka çuar më pas në evidentimin e dyshimeve ndaj efektivit të policisë. Efektivi dyshohet se ka takuar nënën e dy vëllezërve, së cilës i ka treguar se djemtë e saj ishin nën hetim dhe se po përgjohej komunikimi i tyre. Ai i ka kërkuar gruas që djemtë t’i jepnin shuma parash, me qëllim mbylljen e procedimit penal dhe shmangien e arrestimit.
/ZËRI