
TIRANË- Për rreth 1 orë e 35 minuta, kryeministri Edi Rama ishte përballë në zyrën e tij me gazetarin e Report në RAI 3, Giorgio Mottola, ku ka sqaruar disa çështje që kanë qenë në pikëpyetje që nga emisioni i parë i “Report”. Kreu i qeverisë sqaroi marrëveshjen me homologen italiane, Giorgia Meloni, për qendrën e emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin, teksa tha se propozimi erdhi nga kryeministrja e vendit fqinj, por u vijua pas një bashkëbisedimi mes palëve. Rama komentoi akuzat e bëra për të vëllanë, Olsi Rama dhe tha i konsideroi të neveritshme, por shtoi se ka paraqitur padi për shpifje dhe se ia ka lënë në dorë drejtësisë. Përsa i përket lidhjes së sekretarit të Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi me Artur Shehun, një emër i njohur si kreu i një bande, Rama tha se kishte një prokurë nga gjykata për të ushtruar detyrën e vet si avokat, që nuk e ushtroi më kur u bë Sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri. Kreu i qeverisë Edi Rama u ndal edhe tek akuzat për ndikimin e mafias në Shqipëri, si në fushën e politikës apo dhe të ekonomisë dhe tha se ka faktorë të mafias, nisur nga fakti që Shqipëria është një vend shumë i vogël për pasurinë që kanë disa persona, por shtoi se politikanë të ndotur nga mafia, nuk sheh.