
SHKODËR- Kreu i SPAK Altin Dumani është zotuar nga Shkodra, se në 5 vitet e ardhshme do të ketë rënë miti i pandëshkueshmërisë dhe zyrtarë të niveleve të larta do të merren nën hetim. Dumani tha se struktura që drejton është në gjendje të përballet me grupet kriminale që kanë lidhje edhe me politikën. Në një takim në Universitetin e Shkodrës me studentët, në kuadër të një projekti të Komitetit Shqiptar të Helsinkit mbi luftën kundër korrupsionit, Dumani u pyet nëse do të thirret Rama për t’u pyetur për çështjen McGonigal dhe tha se nuk mund të përgjigjet për çëshje konkrete por që cilido zyrtar mund të merret në pyetje, duke shtuar se hetimet për këtë temë i kanë bërë që në shkurt, por në mënyrë diskrete. I pyetur dhe për hetimet ndaj kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kreu i SPAK tha gjithashtu se është një çështje nën hetim dhe nuk mund të japë të dhëna.