‘Ruajeni si xhevahir’, zyrtari i Ambasadës Amerikane: Presim më shumë nga SPAK, i duhet çdo vendi…
SHKODËR- Në një takim informal që po bëhet me studentët në Shkodër, Këshilltari Ligjor i Ambasadës Amerikane, David Backam, përgëzoi SPAK për rezultatet e deritanishme, dhe tha se një strukturë e tillë i shërben çdo vendi me prani të lartë të korrupsionit. Në prani të kreut të SPAK, Altin Dumani, Backam tha se SHBA-të kanë akoma më shumë pritshmëri për SPAK, ndërsa iu bëri thirrje të rinjve që të ndryshojnë kulturën e llogaridhnies në Shqipëri.
“SPAK është i mrekullueshëm dhe i duhet shumë një vendi me korrupsion si Shqipëria. SPAK është i rëndësishëm, ndaj edhe e shihni çdo ditë në TV teksa i referohen mediat dhe politikanët. SPAK mund të bëjë akoma diçka më shumë dhe jam i sigurt dhe ne e presim këtë.
Ju të rinjtë mund të ndryshoni kulturën bazike të integritetit sepse SPAK nuk mund ta bëjë i vetëm. Jua them me siguri se SPAK e kanë zili shumë shtete të tjera që nuk e kanë si strukturë. SPAK duhet ruajtur si xhevahir në Shqipëri. Është e vërtetë që SPAK është një institucion i mbingarkuar por me një shoqëri më të mirë situata në vend mund të përmirësohet dhe SPAK mund ta ketë më të lehtë. Korrupsioni është kudo.
Kam shërbyer në Sri Lanka dhe ju them se si atje si në Amerikë, por edhe këtu në Shqipëri ka korrupsion, por çështja është te niveli, burimet, institucionet mbikëqyrëse. Në Amerikë për shkak të kësaj frika është shumë më e madhe për të bërë korrupsion. Sa i përket përqindjes së korrupsionit në Amerikë nga ku vij unë, Sri Lanka ku kam shërbyer apo për tre muajt e fundit që gjendem në Shqipëri ju ftoj të shihni raportet zyrtare”, tha David Backman.
Vetë kreu i SPAK Altin Dumani, deklaroi gjatë ditës së sotme, se Prokuroria po kryen hetime gjithëpërfshirëse, ku nuk përjashtohen as zyrtarët më të lartë të vendit, ndërsa shtoi se mund të ketë prokurorë që flirtojnë me pushtetin. /ZËRI
Do merret në pyetje Rama për çështjen McGonigal? Dumani: Nuk përgjigjem

TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani ka komentuar çështjen "McGonigal", e cila duket se gjithashtu po hetohet nga SPAK, edhe pse ende nuk ka një konfirmim zyrtar. Në një dalje të tij në Shkodër, kreu i SPAK u pyet edhe nëse kryeministri Edi Rama ishte pjesë e hetimeve, por nuk preferoi që të jepte detaje nga hetimet. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe për ish-presidentin e vendit, Ilir Meta, i cili po hetohet për çështjen CEZ-DIA.
Pyetje: Rama a do thirret për t'u pyetur për çështjen McGonigal?
Altin Dumani: Nuk mund të përgjigjem për pyetje te caktuara. Nuk ka rëndësi emri, por provat dhe nuk ka rëndësi pushteti qe ka dhe në një moment do t’i duhet kujtdo që të vijë dhe të japë llogari në SPAK. Ne jemi të ndjeshëm ndaj asaj që ndodh edhe në media apo kudo tjetër. Shumë media ne muajin shkurt e vitit të kaluar dhe deri para 2-3 muajsh kemi marrë kritika pse nuk kemi regjistruar çështjen e McGonagal dhe gjithë kritiket duhet të ndjehen të zhgënjyer se e kemi regjistruar që në janar të vitit 2022. Duhet të presim momentin kur të kemi diçka konkrete për ta publikuar.
Meta në çfarë faze është hetimi?
Altin Dumani: Çështje nën hetim dhe nuk mund të jap të dhëna.
Ç'ka ndodhur me çështjen 'McGonigal' deri tani?
Ish-zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së u dënua me 4 vite lidhur me akuzën për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, duke punuar pas daljes në pension për oligarkun rus Oleg Deripaska, të cilin më parë ai e kishte hetuar. Në publikimin e dosjes së plotë dhe aktakuzës me 9 pika që FBI ka kopsitur për ish-agjentin dhe shefin e kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal, protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare.
Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI./ZËRI
‘Thyejmë mitin e pandëshkueshmërisë’, Altin Dumani nga Shkodra: Shkatërrojmë grupet kriminale

SHKODËR- Nga Shkodra, kreu i SPAK Altin Dumani deklaroi se Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka kapacitetet për të luftuar krimin e organizuar. Ai tha se SPAK po tenton që të thyejë mitin e paligjshmërisë.
"Kemi kapacitete për t’u përballur me grupimet e strukturuara kriminale. Kemi arritur të shkojmë deri tek provat. Ne po tentojmë të thyejmë mitin e pandëshkueshmërisë. Është e lodhshme, e vështirë, por ne po e bëjmë, pavarësisht se me kë individ do të duhej të përballeshim. Në SPAK kemi ndryshuar filozofinë e kërkimit të provës, duke përdorur metoda speciale", tha Dumani.
Altin Dumani theksoi më tej se SPAK ka pavarësi totale. Ai shtoi se Struktura e Posaçme ka përdorur të ardhurat nga sekuestrimi i pasurive kriminale, duke shtuar se prioritet mbetet edhe lufta ndaj korrupsionit.
"Kemi përdorur të ardhurat nga pasuritë e konfiskuara dhe kemi investuar në teknologji. Për të qenë të sukseshëm në luftën kundër korrupsionit duket legjislacion i mirë dhe struktura të specializuara e këto struktura duhet të kenë pavarësi. Ne kemi pavarësi totale, e garantuar nga Kushtetuta. Nuk kemi marrëdhënie varësie me pushtetet e tjera. Por gjithçka varet nga integriteti i secilit prokuror dhe gjykatës, mund të jesh i pavarur, por zgjedh të flirtosh me pushtetin", u shpreh Dumani./ZËRI/