
Taulant Seferit i mungonte goli me fanellën kuqezi prej 16 muajsh. Sulmuesi kuqezi kishte festuar për herë të parë në takimin e 5 qershorit të vitit 2022 në Reikjavik, në sfidën ndaj Islandës të vlefshme për Ligën e Kombeve. Më 12 tetor brenda 22 minutave ai realizoi dygolësh, që vulosi fitoren e kuqezinjve, të katërtën në Grupin E për djemtë e Silvinjos.
26-vjeçari nga Kumanova luajti për 86 minuta dhe përveç rrjetave në minutën e 51 dhe të 73, ishte i domosdoshëm, duke i ardhur në ndihmë ekipit edhe në mbrojtje. Në këto kualifikuese të Euro 2024, ai ka luajtur në total 321 minuta. Seferi debutoi për herë të parë me kuqezinjtë në moshën 23-vjeçare, kur në stol ishte Edi Reja në sfidën kundër Andorës të vlefshme për kualifikueset e Europianit.
Edhe pse më parë kishte luajtur për Maqedoninë e Veriut, nuk mund t'i thoshte jo, ftesës kuqezi.
Në total, Seferi ka luajtur 16 ndeshje me kombëtaren shqiptare.
Edhe pse futbollisti është huazuar në Ligën Profesioniste të Emirateve të Bashkuara Arabe me ekipin e Banijas, ka treguar një formë të mirë, ku në pesë takime ka shënuar 2 gola dhe ka dhënë 1 asist.
Për trajnerin Silvinjo s'ka rëndësi ku luan. Rëndësi ka që të japësh më të mirën për fanellën kuqezi sa herë je i grumbulluar. Seferit kjo marrëveshje i pëlqen dhe është gati të japë më të mirën sa herë i kërkohet. Për më tepër që tani kuqezinjtë po përjetojnë një ëndërr./Zëri.ai