
SHKODËR- Marina Duhani ka dhënë dorëheqjen nga posti i saj si kryetare e Këshillit të Qarkut Shkodër dhe në vend të saj është emëruar Edmond Ndou, një emër në radhët e socialistëve. Duhani ka dhënë dorëheqjen para se grupi i socialistëve t’i njoftonte se kishte mbledhur firmat për shkarkimin e saj, duke argumentuar se do të largohej për një detyrë tjetër, por kjo ka qenë shkëndija e parë e një krisje mes PS dhe PSD-së në qarkun e Shkodrës. Nga ana tjetër, gjithashtu mësohet se dje pas dreke kanë dhënë dorëheqjen dhe 3 drejtorë rajonalë qe vinin nga radhët e PSD në drejtoritë e qarkut Shkodër. Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga forcat politike, të cilat në zgjedhjet e fundit kishin një marrëveshje të pashkruar mes tyre, ku PSD mbështeti kandidatët e PS-së për kryetarë bashkie. PSD ka 12 anëtarë nga 51 që ka këshilli bashkiak dhe prishja e aleancës rrezikon buxhetin e bashkisë dhe kalimin e vendimeve të administratës së Benet Becit.