
SHKODËR- Katër efektivët e grupit të “Shqiponjave” në Policinë e Shkodrës janë liruar nga qelia dhe janë lënë në masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Blerim Kurmetaj, Viktor Logu, Juljan Stërkaj, Marte Martini janë pezulluar nga detyra dhe po hetohen pasi akuzohen për shpërdorim detyre lidhur me masakrën e ndodhur në Dobraç më 30 tetor të vitit 2024 që përfundoi me ekzekutimin e Hamza Licit, Arlind Bushatit dhe vdekjen e dy qytetarëve të pafajshëm, Bashkim dhe Flutura Basha. Më konkretisht, ata akuzohen se nuk kanë shoqëruar në polici personin e tretë që ishte me dy viktimat në vendngjarje, që dyshohet të ketë qenë Ibrahim Lici, një person i shpallur në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës dhe që mendohet të ketë qenë objektivi i atentatit. Përveç masës ‘detyrim paraqitje’, Gjykata e Shkodrës vendosi të caktojë dhe ‘ndalim i dalje jashtë shtetit’ për efektivët.