
TIRANË- Për herë të parë, Maqedonia e Veriut do të drejtohet nga një kryeministër shqiptar. Lëvizje e cila tregon për ndryshimin rrënjesor të vendit që shume kohë më parë ishte përfshirë nga luftëra ndëretnike. Zgjedhjet pritet të mbahen më 8 maj 2024 dhe 100 ditë para kësaj date, do të formohet një qeveri teknike e kryesuar nga një kryeministër shqiptar, i cili do të propozohet nga partia Bashkimi Demokratik për Integrim, që drejtohet nga Ali Ahmeti.
Aktualisht, RMV drejtohet nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa 2 javë më vonë, më 8 maj, qytetarët do të votojnë njëkohësisht për zgjedhjet parlamentare dhe raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.