
TIRANË- Mandati i Olta Xhaçkës do të shqyrtohet në mbledhjen e Këshillit të Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë. Lajmin e dha kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi pas mbledhjes së grupit, duke lënë të kuptohet se vota e socialistëve do të jetë "pro" për heqjen e mandatit të deputetes socialiste. Opozita pretendon se familja e Xhaçkës ka përfituar statusin e investitorit strategjik, në kushtet flagrante të shkeljes së ligjit dhe konfliktit të interesit. Më konkretisht, bashkëshorti i Xhaçkës, Artan Gaçi me lidhje të ngushta me Qeverinë, përmes dokumenteve të falsifikuara ka kaluar filtrat e kontrollit të ekzekutivit dhe ka përfituar statusin e investitorit strategjik. Gaçi po ndërton kompleksin në Gjilekë të Himarës, dosje për të cilën përfundoi në burg kryebashkiaku Jorgo Goro, ndërkohë që të tjerë zyrtarë po hetohen.