
TIRANË- Zyrtarët që mundësuan dhënien e lejes për kullën “Mount Tirana” ose shqip “Mali i Tiranës”, më e larta që do të ngrihet në Tiranë, po hetohen nga SPAK për pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Lajmin e bëri me dije gazetarja Klodiana Lala. Të tjera raportime mediatike lidhin ndërtuesit e kullës, Kujtim dhe Ilir Shtufi me djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berishën, akuza që janë mohuar nga Berisha. Një episod që mori vëmendje në media ishte dhe fakti që prezent në shpalljen e projektit fitues ishte vetë biznesmeni Agim Zeqo. Në disa verifikime që ZËRI bëri në lidhje me praninë e Zeqos në këtë aktivitet, zbuloi se bashkëpunimi për ndërtimin e kullës, po ecte paralelisht edhe me veprimet ligjore. Më 1 tetor 2022, Agim Zeqo shoqëroi grupin e Nova Construksion për tu njohur me vendimin fitues. 3 ditë më pas, Zeqo dhe Nova Construction nënshkruan një kontratë noteriale, ku kompania “Nova Construction 2012”, shiti 20% të aksioneve të shoqërisë së saj, Nova Solar System te biznesmeni Agim Zeqo për 9 milionë lekë. Kjo kompani, që rezulton vetëm me humbje nga bilancet në QKB, në qershor të vitit 2023 u licensua për të nisur prodhimin e energjisë elektrike për 30 vite në një central fotovoltaik në Marinas të Fierit. Kjo e dhënë, shoqërohet edhe një tjetër gjetje e gazetares Ola Xama, e cila deklaroi se taksa e ndikimit në infrastrukturë për Malin e Tiranës është paguar nga biznesmeni Agim Zeqo, në vlerën e 2.3 milionë eurove, duke e bërë edhe më të paqartë burimin financiar me të cilin po ndërtohet kjo kullë, apo arsyen përse u bë kjo bamirësi. ZËRI e kontaktoi z.Zeqo në lidhje me përfshirjen e tij të mundshme në ndërtimin e “Mali i Tiranës”, por deri në publikimin e shkrimit, nuk ka asnjë përgjigje.