
TIRANË- 14-vjeçari Luis Meçe ka dalë nga spitali, 11 ditë pas plagosjes së tij me thikë në ngjarjen që ndodhi në shkollën "Fan Noli", ku mbeti i vrarë shoku i tij, Martin Cani. Sipas spitalit, i mituri është në gjendje stabël dhe tashmë mund të kurohet jashtë spitalit, ndërsa familja po kërkon që ta transferojë jashtë shtetit. Një natë më parë nga shtrati i spitalit, Luisi dha dëshminë e tij të fundit para kamerave duke u shprehur se nuk kishte asnjë njohje me Mario Përlleshin, i cili aktualisht dyshohet se është autori i vrasjes së Canit. Nga ana tjetër, zëvendësdrejtor i Krimit në Tiranë, Erion Ismaili tha se Policia posedon pamje të konfliktit, por jo të momentit të vrasjes, ku janë përdorur edhe thikat. Megjithatë duke u bazuar nga pamjet e tjera, pretendon se momenti i konfrontimit mund të ketë zgjatur jo më shumë se 10 sekonda. Avokati i familjes së 14-vjeçarit Martin Cani, Redi Ramaj pretendon se ka paqartësi në lidhje me numrin e autorëve të përfshirë në ngjarje. Sipas tij, nga adoleshentët e marrë në pyetje, pretendohet se viktima është goditur edhe nga një person tjetër përveç personit të akuzuar deri më tani. Por këtë version e mohon Policia e Shtetit. Ndërkohë ngjarja vazhdon të ketë impakt të madh në publik dhe aktivistë e qytetarë kanë paralajmëruar protestën e radhës. Më 3 dhjetor do të ketë sërish një marshim nga shkolla "Fan Noli" tek Ministria e Arsimit. Kërkesat janë të njëjta, rritja e sigurisë në shkolla dhe dorëheqja e ministres së Arsimit dhe Sporteve, Ogerta Manastirliu.