
TIRANË- Objektet shtetërore do të mund të shemben në troje ku janë dhënë leje zhvillimi. Sipas BIRN, kjo është vetëm një pjesë nga nisma që nisi deputeti socialist Eduart Shalsi për ndryshimin e një akti normativ të vitit 2008 dhe u transformua në komisionin e Ekonomisë, duke i dhënë dritën jeshile shkëmbimit apo shembjes së pronave publike në rastet kur këto të fundit pengojnë projekte private. Fillimisht, propozimi i Shalsit synonte kalimin e funksionit nga Ministria e Financave tek ministria përgjegjëse për Ekonominë, por gjatë diskutimit në komision, deputetët Blerina Gjylameti dhe Alban Xhelilaj bënë propozime të reja, të cilat edhe pse nuk i janë nënshtruar konsultimit publik, synojnë që t’u japin kompetenca çdo institucioni publik që të vendosë për shkëmbimin apo shembjen e pronave publike, për arsye investimesh private në turizëm apo qëllime të tjera. Opozita i kundërshtoi propozimet duke aluduar për lidhjen me interesa të ngushta korruptive në dëm të interesin publik. Kjo procedurë u kontestua edhe nga deputeti socialist, Erion Braçe. Por, Shalsi pretendoi se propozimet ishin konsultuar me qeverinë dhe propozuesit ishin në dijeni të problematikave të mëparshme që kërkonin kuadrin ligjor. Zëvendësministri i Ekonomisë, Endrit Yzeiraj që ishte i pranishëm në komision, dha dakordësinë.