
TIRANË-Kuvendi i Shqipërisë, bëhet një prej institucioneve të para që ka vendosur që të përdorë inteligjencën artificiale, për zbardhjen e fjalimeve të deputetëve në seancat plenare, komisionet dhe çdo konferencë që do të zhvillohet në ambientet e tij. Në një tender që ka hapur së fundi, me vlerë prej 74.5 mln lekësh, Kuvendi shpall edhe objektin e tij, që është transkriptimi i audios në tekst, sipas tyre me qëllim për të shkurtuar kohën e punës, por edhe për të rritur transparencën dhe efikasitetin në kërkim dhe arkivat e Kuvendit. Në aneksin e kontratës thuhet se Kuvendi i Shqipërisë, ka qëllim transparencën, dhe një komunikim sa më efikas me qytetarët, që bëhet në një kohë sa më të shpejtë të mundshme.
Gjithashtu në relacion thuhet se Shërbimi i Redaktorëve të Kuvendit transkripton dhe redakton mbi 10 orë materiale audio në ditë duke sjellë vonesa në përpilimin e procesverbaleve./ZËRI