TIRANË- Interpol ka shpallur listën e 10 shqiptarëve më të kërkuar. Krimet për të cilat kërkohen shqiptarët janë vrasje, grabitje e trafik lëndësh narkotike. Mes tyre janë dhe dy persona të kërkuar nga drejtësia amerikane si të dyshuar për vrasje. Vetëm tre nga 10 shqiptarët e listës së Interpol kërkohen nga drejtësia në Shqipëri. Lista kryesohet nga Bedri Noka, 40-vjeçari që kërkohet nga Belgjika, për shkak se dyshohet si anëtar i një organizate kriminale që trafikonte sasi të mëdha kokaine në Europë. I dyti është Andi Kuka, 31 vjeç, i kërkuar nga Belgjika për të njëjtat akuza, trafik droge, organizatë kriminale dhe pastrim parash. Më pas lista vijon me Taulant Memon, i kërkuar nga Greqia për dëmtim financiar mbi 10,000 euro dhe armëmbajtje pa leje, Ergest Memo, i kërkuar nga Greqia, Aleks Burreli, i kërkuar nga Qipro për komplot për vrasje, përdorim eksplozivësh, zjarrvënie, vjedhje dhe tentativa për vrasje. I gjashti është renditur Romeo Rustemaj, i kërkuar në Shqipëri për tentativë vrasjeje dhe arratisje nga paraburgimi, i shtati Gazment Nebiu, i kërkuar në Shqipëri për vrasje me paramendim, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe armëmbajtje pa leje. Në tre vendet e fundit renditen Ervis Mecollari, i kërkuar nga SHBA për vrasje, Spartak Sageri i kërkuar në Shqipëri për vrasjen e dy ose më shumë personave dhe komplot kriminal, dhe Artan Sulstarova i kërkuar nga SHBA për vrasje të shkallës së parë dhe sulm me armë zjarri.