'Iute Credit”, një prej institucioneve financiare jo banka, është ankuar se publikimi i lajmeve në media është një rrezik, që kërcënon biznesin e saj. Shqetësimi është publikuar në prospektin e listimit të obligacionit 140 milionë euro, që kompania siguroi në qershorin e këtij viti. Institucioni shprehet se zhvillimet negative që ndikojnë në sektor në tërësi, duke përfshirë skandalet, veprimet zbatuese ose falimentimet që përfshijnë huadhënës të palëve të treta, mund të rezultojnë në dëmtim të reputacionit. “Në vitet e fundit, ka pasur një rritje të mbulimit negativ mediatik në lidhje me kreditë afatshkurtra dhe me pagesë të vetme të llojit që ofrojmë. Tarifat dhe/ose interesi i ngarkuar nga ne dhe të tjerët në industri tërheqin publicitet mediatik në lidhje me industrinë dhe mund të perceptohen si të diskutueshme. Karakterizimi negativ i këtyre llojeve të kredive dhe praktikave të huadhënies mund të çojë në ndryshime më kufizuese ose negative legjislative ose rregullatore, të cilat, nga ana tjetër, mund të kenë një efekt negativ material në biznesin tonë, gjendjen financiare, rezultatet e operacioneve, perspektivat ose flukset e parave të gatshme,” thuhet në prospekt. ZËRI prej vitit 2024 raportoi rastet e abuzimit dhe denoncimet e qytetarëve që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie.
/ZËRI