
TIRANË- Hakerimi i faqes zyrtare të Bashkisë Tiranë, i kushtoi shumë edhe familjeve shqiptare. Ndërsa më 22 qershor përfundoi afati zyrtar për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe dhe kopshte publike në Tiranë, por qindra prindër nuk mundën dot të aplikonin. Platforma “e-femije.tirana.al” ishte jashtë funksionit për ditë me radhë, pasi faqja zyrtare e Bashkisë Tiranë ra pre e një sulmi kibernetik, duke pamundësuar regjistrimin e fëmijëve në çerdhe e kopshte.
Në lidhje me funksionin e platformës, kryetarja në detyrë e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani në një njoftim për mediat bëri me dije se po punohej për të rikthyer lidhjen sa më shpejt, por nuk dha asnjë shtyrje të afatit për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe e kopësht. Kjo platformë që nuk e kreu funksionin e saj, u ka kushtuar qytetarëve 210 milionë lekë nga taksat publike, ndërkohë që për të njëjtën faqe është hapur tenderi 1.7 milionë euro edhe për sigurinë kibernetike. Përfituesi i këtyre fondeve është kompania 'KREATX' në pronësi të Lejdi Koçi dhe Enor Nakuçi. Sipas të dhënave zyrtare të Thesarit, Bashkia Tiranë ka firmosur dy pagesa për këtë platformë: një prej 240 mijë lekësh dhe një tjetër në vlerën prej 21.360.000 lekësh, që sipas përshkrimit shkojnë për platformën online të regjistrimit të fëmijëve në çerdhe dhe kopshte./ZËRI/