Video

Fëmijët e helmuar! Kush fshihet pas kompanisë "Nelsa SHPK" që serviri ushqimin

"Nelsa shpk", ka fituar tenderin për furnizimin e kopshteve dhe çerdheve në bashkinë Gramsh që nga qershori i vitit 2023.

Redaksia Zëri

 

Fëmijët e helmuar! Kush fshihet pas kompanisë "Nelsa
Foto ilustruese

 

TIRANË- Fëmijët që frekuentonin kopshtin publik nr.1 në qytetin e Gramshit rezultuan të helmuar dhe 17 prej tyre janë të infektuar me salmonelë. Dyshimet paraprake janë se helmimi ka ardhur nga ushqimi i ofruar nga kompania e “Nelsa SHPK” e cila ka lidhur një marrëveshje me Bashkinë Gramsh dhe ka marrë përsipër furnizimin e kopshteve dhe çerdheve të Gramshit më ushqime.

Por kush fshihet pas kompanisë “Nelsa shpk” që ofroi ushqimin, nga tenderat tek arrestimi i pronarit?

"Nelsa shpk", ka fituar tenderin për furnizimin e kopshteve dhe çerdheve në bashkinë Gramsh që nga qershori i vitit 2023. Kjo kontratë është e vlefshme për 24 muaj dhe parashikon furnizimin me produkte ushqimore të standardit të lartë, përfshirë konviktin e shkollës së mesme. Kjo kompani ka një historik të gjatë të përfshirjes në tenderat publikë jo vetëm në Gramsh por edhe në institucione të tjera shtetërore. "Nelsa shpk" furnizon me ushqim spitalet dhe burgjet e vendit.

Por kompania nuk është hera e parë që përfshihet në një skandal. Pronari i “Nelsa shpk”, Nexhmi Balla rezulton i dënuar për korrupsion dhe vjedhje të fondeve publike.

“Nelsa shpk” rezulton të jetë aktualisht në pronësi të Elsa Kamberi (Balla), por themelues dhe pronar fillestar është babai i saj, Nexhmi Balla, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Në 11 Korrik 2016, Policia e Shtetit arrestoi biznesmenët Ylber Kalaja, Nexhmi Balla dhe Shemsi Sinani, pasi Prokuroria për Krime të Rënda kishte zbuluar një rast korrupsioni në tenderët e ushqimeve për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ku ishin përfshirë kompanitë e tyre “Vllaznimi” (sot, “Dajti Park 2007”); “Nelsa” dhe “M.B Kurti” (sot “Sinan Trading”).

Së bashku me biznesmenët, me urdhër të Prokurorisë u arrestuan në atë kohë edhe drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto dhe zëvendësi i tij, Iljaz Labi. Administratorët e kompanive "Dogel", "Vllaznia", "M.B.Kurti" dhe "Nelsa", konkretisht, shtetasit Elidjan Laskaj, Ylber Kalaja, Shemsi Sinani e Nexhmi Balla, bënin marrëveshje për të kryer konkurrim fiktiv në tenderat e zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, për furnizimin me ushqime. Asakohe Gjykata dha dënimin me tre vite burg për administratorët. Pas skandalit Balla i kaloi pronësinë dhe drejtimin e kompanisë vajzës së tij, Elsës./ZËRI

Poll

MOS HUMB