
PUKË- Puka është vendi i radhës ku po zhvillohen aksione kundër krimeve zgjedhore. Prokuroria kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendim të prokurores Manjola Kajana dhe të miratuar nga GJKKO, ka ushtruar kontrolle në ambientet e Bashkisë së Pukës, si dhe në disa banesa në kryeqytet. Si rezultat, SPAK ka sekuestruar celularin e nënkryetarit të Bashkisë Pukë, Ndue Suma.
Ai u ndalua nga agjentët e BKH teksa po udhëtonte me makinë pranë Durrësit dhe iu sekuestrua celulari, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “dhënie e shpërblimeve dhe premtimeve”, e parashikuar nga neni 328 i kodit penal. Gjithashtu janë sekuestruar edhe 3 aparate të tjera, të cilat do të ekzaminohen për prova materiale. Në hetim janë përfshirë edhe persona të tjerë të dyshuar për veprime penale në zgjedhjet e 11 majit.