
TIRANË- Shqipëria renditet e 10-ta në rreth 40 vende të Evropës për rritjen e lartë të çmimeve të ushqimeve ndërmjet vitit 2015 dhe muajit mars të vitit 2025. Sipas Monitor, indeksi shqiptar i çmimeve të ushqimeve dhe pijeve jo alkoolike shënoi në mars të këtij viti 167 %, ç’ka do thotë se nga viti 2015 deri në mars 2025 çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur me 67 për qind një nga nivelet më të larta në Evropë.
Çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rriten 14% më shumë se mesatarja e BE-së në këtë periudhë. Shqipëria gjithashtu kishte rritjen më të fortë të çmimeve edhe në Rajonin e Ballkanit, duke përjashtuar Serbinë. Rritja me ritme të larta të çmimeve të ushqimeve në krahasim me vendet e tjera në Europë dëmton konvergjencën afatgjatë dhe arritjen e standardeve të jetesës së BE. Në njërën anë presioni në konsum nga vizitorët e huaj dhe në tjetrën plakja e popullsisë po krijojnë një mjedis me çmime më të larta edhe në vijimësi. Zhvillimet pozitive në turizëm nuk po nxisin prodhimin bujqësor dhe vendi ka rritur varësinë e furnizimeve me ushqime nga importi vitet e fundit. Teksa kjo varësi po rritet, mungojnë politikat që adresojnë kostot strukturore të zinxhirit të furnizimit ushqimor.