
TIRANË- Klaudio Prendi, djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi që u vra në zonën e Xhamllikut në Tiranë ndodhej në lokal me tre efektivë policie që i kishte miq, pak sekonda para se të vritej. Siç edhe duket nga pamjet e siguruara nga ZËRI, fillimisht Prendi hipën në mjet dhe vetëm pak sekonda më pas i afrohen autorët. Sapo i riu mbyll derën e mjetit, autorët i dalin paralel dhe e qëllojnë disa herë me armë zjarri. Dy prej miqve të tij e çuan në spitalin e Traumës, ndërsa tjetri ndoqi autorët, por humbi gjurmët e tyre pa shkuar te rrethi i Shkozës. Mësohet se automjeti “Audi” i autorëve ka lëvizur një orë rreth zonës para krimit, gjë që tregon se ata ishin duke ruajtur veprimet e viktimës. Ndërsa, Policia do të verifikojë dhe njëherë pamjet e kamerave të sigurisë në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë, ku dhe rezulton se është vjedhur dhe makina që u përdor nga autorët për atentatin. Po ashtu janë kontaktuar edhe autoritetet greke nëse është raportuar për vjedhjen e targave ose janë të dublikuara.