
TIRANË- Drejtoria e Burgjeve ka refuzuar për të dytën ditë me radhë shoqërimin e Dritan Dajtit, pasi ka dyshime dhe informacione se mund të arratiset. Për këtë shkak edhe seanca e sotme gjyqësore do të zhvillohet me video konferencë nga ambientet e burgut të Peqinit. Në një videokonferencë nga qelia, Dajti akuzoi Gjykatën për sjellje jo korrekte dhe profesionale ndaj tij. Ndërkohë, avokati i tij është shprehur se mos realizimi i prezencës fizike të Dajtit në seancë, është jo normale, pasi aktualisht janë 3800 policë burgjesh dhe 6 mijë policë rendi në Shqipëri që mund ta shoqërojnë për të shmangur arratisjen. Dajti pretendon se duhet të lirohet nga burgu, për shkak se ka përfunduar dënimin. Gjykata e Lartë vendosi rikthimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin, i cili më herët kishte përfituar nga gjykimi i shkurtuar duke u dënuar me 25 vite burg për vrasjen e 4 efektivëve të policisë.