
NEW YORK - Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, të martën miratoi një rezolutë që kërkon një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, me 153 vende që e mbështesin atë. Duke kundërshtuar rezolutën e OKB-së, i dërguari izraelit në OKB tha se do të ketë një armëpushim të qëndrueshëm, vetëm kur grupi palestinez Hamasi të dorëzojë armët.
"Nëse doni një armëpushim të vërtetë, telefononi zyrat e Hamasit në Gaza dhe kërkoni Jahya Sinwarin. Thuaj atij se kur Hamasi të lëshojë armët, të dorëzohet dhe të kthejë të gjithë pengjet, atëherë do të ketë një armëpushim të vërtetë, që do të zgjasë përgjithmonë”, tha ambasadori Gilad Erdan në Asamblenë e Përgjithshme.
Yahya Sinwar është udhëheqësi i Hamasit në Rripin e Gazës dhe Izraeli ka deklaruar se kapja e tij është një nga objektivat kryesore të operacionit të tyre në Gaza. Erdan gjithashtu mbajti një tabelë, ku ishte numri telefonit i zyrës së Yahya Sinwar dhe u kërkoi anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme ta telefononin, nëse ata vërtetë mendonin për armëpushim.
"Unë sinqerisht nuk e di se si dikush mund të shikojë veten në pasqyrë dhe të mbështesë një rezolutë që nuk dënon Hamasin dhe që nuk përmend emrin e Hamasit. Por ju e dini, unë kam një ide. Nëse doni një armëpushim të vërtetë, këtu është adresa e duhur. Ky është numri i telefonit të zyrës së Hamasit në Gaza. Mund të telefononi të gjithë", tha ai.
Ambasadori tha: "Asnjë copë letër, veçanërisht nga një shumicë e njëanshme e politizuar, nuk do ta pengojë Izraelin të mbrohet kundër atyre që kërkojnë shkatërrimin tonë". Ndërsa 153 vende ishin pro rezolutës, 10 votuan kundër dhe 23 abstenuan. Vendet që kundërshtuan rezolutën janë Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Austria, Çekia, Guatemala, Liberia, Mikronezia, Nauru, Papua Guinea e Re dhe Paraguaj./ZËRI/