
TIRANË- Një vrasje-vetëvrasje ka tronditur qytetin e Korçës mbrëmjen e kaluar. 61-vjeçari Ilio Lluka ka qëlluar për vdekje me armë zjarri 40-vjeçarin Emiljano Pine dhe më pas me të njëjtën armë ka qëlluar dhe veten. Ngjarja u regjistrua rreth orës 20:25 pranë një hoteli në lagjen nr. 18, në rrugën "Koço Golniku" të Korçës. Shkak për ngjarjen mësohet se është bërë konflikti për një pronë. Babai i Llukës kishte vendosur t’i linte si trashëgimi shtëpinë djalit të bashkëjetesues, Emiliano Pine. Por, si duket, Lluka nuk e ka pranuar këtë gjë dhe ka vendosur që të vrasë njeriun që do të trashëgonte shtëpinë e tij dhe më pas veten. Ilio Lluka ka shkuar në lokalin ku Emiliano Pine po pinte kafe dhe i ka kërkuar të dalë jashtë. Pas një bisede që kanë zhvilluar mes tyre, ka qëlluar Pinen tre herë me armë dhe më pas me një plumb në kokë, i ka dhënë fund jetës së tij. Pine është dërguar në spitalin e Korçës ku ka humbur jetën. Ai njihej dhe me identitetin Jorgo Prifti.