TIRANË-Prokuroria e Posaçme ka liruar llogaritë bankare të kompanisë "Albania Land Development" nga Katari e angazhuar për projektin e Zvërnecit. Llogaritë u bllokuan në kuadër të një hetimi pas dyshimeve për një skemë të tjetërsimit të pronave në këtë zonë. SPAK vendosi fillimisht ta bllokojë llogarinë, në emër të vëllezërve Ramez dhe Mohamad Al-Khayyat nga Katari, për të bërë verifikime, por më pas sipas burimeve, paratë rezultuan të pastra, të ardhura përmes transferimit të rregullt bankar nga Katari, dhe llogarive iu hoq sekuestroja. Ndërkohë sot, SPAK bëri lëvizjen e radhës duke bllokuar llogaritë bankare të shqiptarëve, të cilët po verifikohen nëse janë pronarë të ligjshëm të tokave apo jo. “Albania Land Development” ka blerë tokat mbi të cilat do të realizohet projekti. Këto prona fillimisht ishin në pronësi të Redi Strugës, i cili pas shitjes u emërua një nga tre administratorët e kompanisë, por me të drejtë të kufizuar për firmë.
/ZËRI