Video

Vdekja e motoristit të WOLT, heshtja që ngre pikëpyetje

Një ditë pas arrestimit, Gjykata e Tiranës ka vendosur lirimin e tij, çka ka nxitur edhe debatet në rrjetet sociale për një favorizim të mundshëm pas kësaj vendimmarrjeje.

zh.ll
Vdekja e motoristit të WOLT, heshtja që ngre pikëpyetje
Kristi Liço

TIRANË-33-vjeçari Kristi Liço, me origjinë nga Përmeti, i cili punonte në kompaninë Wolt, ka ndërruar jetë ditën e djeshme në Spitalin e Traumës, si pasojë e plagëve të marra në një aksident rrugor. Ngjarja ndodhi mesditën e 1 prillit, në rrugën “Naim Frashëri”, pranë ish-depove të naftës në Mëzez, ku Liço po lëvizte me motor së bashku me 20-vjeçaren Armanda Taqe. Aksidenti, që përfundoi me pasoja fatale, dyshohet se është shkaktuar nga 18-vjeçari Endri Brahilika, i cili drejtonte një automjet tip “BMW X5”. Sipas verifikimeve të ZËRI-t, i riu kishte marrë lejen e drejtimit më 29 dhjetor 2025, pra rreth tre muaj para aksidentit. ZËRI mësoi se Policia ka bërë arrestimin në flagrancë të 18-vjeçarit menjëherë pas aksidentit. Ai është prangosur për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”. Nga verifikimet rezulton se nuk ka qenë nën efektin e alkoolit. Një ditë pas arrestimit, Gjykata e Tiranës ka vendosur lirimin e tij, çka ka nxitur edhe debatet në rrjetet sociale për një favorizim të mundshëm pas kësaj vendimmarrjeje. Por në fakt, sytë e opinionit publik sot do të duhet të ishin drejt kompanisë Wolt. Motoristi është përplasur jashtë orarit të punës, në një aks tejet të frekuentuar, ndërkohë që zyrtarët e kompanisë ende nuk kanë bërë asnjë sqarim, se a kishte i riu skafandër, a ishte duke udhëtuar në shpejtësinë e lejuar apo jo. Prej javësh, motoristët e Wolt janë në një presion nga kompania e cila u ka kushtëzuar vendin e punës në rast se protestojnë. Jo më larg se disa ditë më parë, disa prej tyre u njoftuan nga kompania se në rast se do të dilnin në protestë do të humbisnin vendin e punës dhe ashtu ndodhi. Ata u nxorrën jashtë linje në aplikacionin ku marrin porositë, ndërkohë që mesa duket edhe në këtë rast askush nuk merr përgjegjësitë.

/ZËRI

 

Poll

MOS HUMB