
TIRANË- Partia Demokratike ka ngritur shqetësime lidhur me procesin e votimit të diasporës, duke i dërguar një shkresë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe misionit të OSBE-ODIHR. PD kërkon një audit të menjëhershëm ndërkombëtar të logjistikës së transportit dhe dorëzimit të zarfeve nga Shqipëria në Greqi dhe anasjelltas. Sipas opozitës, shkeljet e konstatuara janë dërgesa të parregullta të zarfeve, dy fletë votimi në një zarf, mungesë udhëzimi për votuesit, presion politik dhe blerje votash, vonesa ose mosdorëzimi i zarfeve, mbledhje e paligjshme e votave.
Partia Demokratike kërkon gjithashtu rishikim për pavlefshmëri të çdo vote të dorëzuar me zarf të pavulosur apo të paplotë si edhe hetim penal nga SPAK për blerje votash dhe përfshirje të PS në shpërndarje votash./ZËRI