
TIRANË- Një i ri shqiptar, banues në Gjermani është proceduar pas publikimit të fletës së votimit. 24-vjeçari publikoi në rrjetin social “TikTok”, një fotografi të fletës së votimit (të plotësuar) që e ka siguruar nëpërmjet shërbimit postar, duke qenë se është emigrant në Gjermani.
Policia sqaron se nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit” dhe “Shkelja e së drejtës së zgjedhjes”, për shtetasin E. N., 24 vjeç. I riu është bërë personi i parë që procedohet në lidhje me shkeljet e rregullave sa i përket procesit të votimit nga diaspora. Vetë kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një nga konferencat për gazetarët ka theksuar se publikimi i votës është një vepër penale që dënohet nga ligji zgjedhor. Komisioneri u ka bërë thirrje partive politike që të mos inkurajojnë këto veprime te votuesit e tyre.