
TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë që e shpalli të pafajshëm kryebashkiakun e Devollit Eduard Duro. Të pafajshëm u shpallën edhe 4 zyrtarët e tjerë, Vojsava Bregu, Gazmend Haxhija, Gazmend Malo dhe Astrit Seferkolli. Duro u mor i pandehur nën akuzën “shpërdorim detyre” pasi akuzohej se kishte licensuar një biznes karburanti që ishte ndërtuar pa leje.
Nga hetimet e SPAK, rezultoi se kryebashkiaku socialist Eduard Duro, në bashkëpunim me zyrtarët e Sektorit të të Ardhurave dhe Liçencimit në Bashkinë Devoll, Gazmend Haxhija dhe Gazmend Malo dhe sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë Devoll, Astrit Seferkolli, si dhe të pandehurën tjetër, Vojsava Bregu, pajisën shoqërinë tregtare “Genci Petrol” sh.p.k me autorizim për tregtimin me pakicë të karburantit. Sipas prokurorisë, ky autorizim është dhënë në kundërshtim me ligjin, pasi në vitin 2019 Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kishte vendosur prishjen e pikës së karburantit. Për rrjedhojë, SPAK kishte kërkuar dënimin e kryebashkiakut me 1 vit burg për shpërdorim detyre, por Apeli i GJKKO-së e shpalli të pafajshëm.