
HIMARË- Dy ditë më parë, deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj organizoi një miting me qytetarët e Himarës, të cilëve u kërkoi votën për një mandat tjetër në Kuvendin e Shqipërisë. Por prezantimi i tij nuk shkoi mirë!
Sinaj kishte menduar të përgatisë edhe një shfaqje me parashutë, ku një djalë i ri do të fluturonte mbi turmën e njerëzve në momentin e fjalimit të deputetit. Personi në fjalë ishte Xhonatan Ismaili, një nga parashutistët më të njohur në vendin tonë, por edhe pse me eksperiencë, diçka shkoi keq. Përpjekja e Vullnet Sinajt për të tërhequr vëmendjen e të pranishmëve me balonën që mbante të shkruar emrin e tij, për pak sa nuk përfundoi në tragjedi, pasi parashutisti humbi kontrollin dhe u përplas në tokë. Në rrjet, janë shpërndarë pamjet nga përplasja me tokën në zonën e Potamit. Policia ka reaguar ndaj ngjarjes, duke proceduar penalisht parashutistin për uljen e rrezikshme dhe të papërgjegjshme në një zonë publike.