
IZRAEL- Lufta mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në ditën e dhjetë që nga nata e 13 qershorit kur nisën bombardimet e para. Por tashmë rrethi është zgjeruar pasi një ditë më parë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës bëri me dije se kishte sulmuar tre objekte bërthamore të Iranit. Madje Trump ka lajmëruar se nëse Irani nuk pranon të bëjë paqe, do të ketë sulme akoma më të mëdha kundrejt tij. Vetë Irani e ka hedhur poshtë asgjësimin e objekteve bërthamore, pasi ka deklaruar se Fordow që është ngritur në një mal, ka qenë spostuar një natë para bombardimeve. Por, asgjë nuk dihet me siguri pasi as OKB nuk ka mundur të përcaktojë shkallën e saktë të ndikimit. Trump gjithashtu ka deklaruar se ka për qëllim ndryshimin e lidershipit në Iran nën sloganin MIGA, “Make Iran Great Again”, (Ta bëjmë Iranin madhështor përsësi), i njëjti me të cilin ka garuar dhe fituar zgjedhjet në SHBA. Nga ana tjetër, udhëheqësit ushtarakë iranianë kërcënojnë SHBA-në me një kundërpërgjigje, ndërsa ministri i jashtëm i Iranit është në Moskë për të diskutuar me Putinin. SHBA-të i kërkojnë edhe Kinës të ushtrojë presion mbi Iranin që të mos e mbyllë Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kritike detare për kalimin e naftës.
Gjithsesi sulmet vijojnë dhe raportimet flasin për viktima nga të dyja palët, por shifrat mbeten të pakonfirmuara./ZËRI