Video

A ndikohet Shqipëria nga lufta Izrael-Iran?

Vendi ynë nuk është përfshirë drejtpërdrejt në konflikt, por efektet ekonomike globale që rrjedhin prej mund të shkaktojnë rritje çmimesh në disa sektorë kyç.

Florida Mingla
A ndikohet Shqipëria nga lufta Izrael-Iran?
Florida Mingla

TIRANË-Dëmet në jetë njerëzish apo ndikimi gjeopolitik nuk janë të vetmet pasoja në luftën mes Izraelit dhe Iranit. Kjo përballje ka pasoja të rëndësishme edhe për ekonomitë e vendeve te vogla që varen nga importet, siç është Shqipëria. Vendi ynë nuk është përfshirë drejtpërdrejt në konflikt, por efektet ekonomike globale që rrjedhin prej mund të shkaktojnë rritje çmimesh në disa sektorë kyç.

Sektori i parë që mund të përmendim janë karburantet.

Rritja e pasigurisë në Lindjen e Mesme mund të çojë në rritjen e çmimit të naftës dhe gazit natyror në tregjet ndërkombëtare. Irani është një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë dhe eksporton nëpërmjet Gjirit Persik. Një konflikt në rajon kërcënon mbylljen e ngushticës së Hormuzit, një arterie jetike për transportin e 20-30% të naftës botërore. Pasiguria në këtë zonë rrit menjëherë çmimin e naftës në bursat ndërkombëtare. Shqipëria, që importon të gjithë sasinë e karburanteve që konsumon, do të ndjejë efektin direkt të kësaj rritjeje.

Reuters bën me dije se çmimet e naftës së papërpunuar Brent, të cilat shpesh konsiderohen si një matës i rrezikut gjeopolitik, u rritën nga nën 70 dollarë për fuçi më 12 qershor, një ditë para sulmit fillestar të Izraelit, në 81.40 dollarësh më 23 qershor, pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore iraniane. Por, çmimet më pas ranë nën nivelet e paraluftës në 67 dollarë, pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi se Izraeli dhe Irani kishin rënë dakord për një armëpushim.

Një rritje mund të ndodhë vetëm nëse realizohet skenari që i frikësohen të gjith tregjet e energjisë, bllokimi i Ngushticës së Hormuzit nga Irani, përmes së cilës kalojnë gati 20% e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz.

Rritja e karburantit bën që të rriten kostot e transportit dhe energjisë dhe të shkaktojë menjëherë një efekt domino në sektorin ushqimor, sidomos në vende që varen nga importet për produkte bazë.

Shqipëria importon shumë nga drithërat, vajrat, sheqeri dhe produktet e përpunuara.

Transporti më i shtrenjtë dhe çmimet më të larta nga vendet eksportuese çojnë në rritje çmimesh në tregun shqiptar. Produktet e freskëta, veçanërisht ato jashtë sezonit, do të ndikohen më shumë. E njëjta gjë do të ndohë edhe me mallrat industriale, pajisjet elektroshtëpiake dhe materialet e ndërtimit që varen shumë nga zinxhiri i furnizimit global.

Çmimet e hekurit, aluminit, çimentos dhe plastikës mund të rriten për shkak të energjisë më të shtrenjtë në prodhim.

Pajisjet e importuara (televizorë, frigoriferë, lavatriçe) do të kushtojnë më shumë për shkak të transportit dhe rritjes së çmimit të prodhimit në vendet e origjinës.

Ndërtimet e reja mund të përballen me kosto më të larta materiale, ç’ka rrit edhe çmimin e banesave.

Rritja e çmimeve të karburantit dhe energjisë reflektohet në të gjitha aspektet e ekonomisë. 

Për pasojë produktet e përditshme të konsumit (për pastrim, kujdes personal, ambalazhe) do të preken. Shërbimet e transportit si transport urban, taksi, dërgesa, madje edhe shërbimet profesionale, do të kenë tendencë të rrisin çmimet për të kompensuar shpenzimet më të larta.

Bizneset në sektorin e shërbimit si kafenetë, baret e restorantet do të përballen me kosto më të larta dhe mund të rrisin çmimet për të ruajtur fitimin.

Megjithatë duhet pasur parasysh diçka: aktorë racionalë kanë mësuar nga konfliktet e mëparshme dhe kanë ndërtuar rrugë alternative eksporti dhe magazinimi për të kufizuar ndikimin e çdo ndërprerjeje në Gjirin Persik.

Arabia Saudite, eksportuesi kryesor i naftës në botë, që prodhon rreth 9 milionë fuçi në ditë, gati një e dhjeta e kërkesës globale, tani ka një tubacion nafte të papërpunuar që shkon nga bregu i Gjirit deri në qytetin portual të Detit të Kuq, Yanbu, në perëndim, gjë që i lejon të anashkalojë Ngushticën e Hormuzit. Tubacioni ka kapacitet prej 5 milionë fuçish në ditë dhe ndoshta mund të zgjerohet me 2 milionë fuçi të tjera në ditë.

Për më tepër, Emiratet e Bashkuara Arabe, një tjetër prodhues i madh i OPEC-ut dhe rajonal, me prodhim prej rreth 3.3 milionë fuçish naftë bruto në ditë, ka një tubacion prej 1.5 milionë fuçish në ditë që lidh fushat e saj të naftës në tokë me terminalin e naftës Fujairah që ndodhet në lindje të Ngushticës së Hormuzit.

Të dy vendet, si dhe Kuvajti dhe Irani, kanë gjithashtu objekte të rëndësishme magazinimi në Azi dhe Evropë që do t'u lejonin atyre të vazhdonin furnizimin e klientëve edhe gjatë ndërprerjeve të shkurtra. Në dekadat e fundit, prodhimi i naftës është rritur ndjeshëm në pellgje të reja si Shtetet e Bashkuara, Brazili, Guajana, Kanadaja dhe madje edhe Kina.

Në fund të fundit, pra, lufta Izrael-Iran është një provë e mëtejshme se lidhja midis politikës së Lindjes së Mesme dhe çmimeve të energjisë është dobësuar, ndoshta përgjithmonë. Pra, rreziku gjeopolitik mund të vazhdojë të rritet, por mos prisni që çmimet e energjisë të ndjekin të njëjtën rrugë. Të paktën jo aq sa dikur./ZËRI

Poll

MOS HUMB