
TIRANË- Tirana, Vlora, Tepelena, Berati, Mati dhe Cerriku janë gjashtë bashkitë në vend ku pritet të mbahen zgjedhje të parakohshme. Gara më e fortë pritet të jetë ajo për Bashkinë e Tiranës, si njësia më e madhe vendore në vend, ku pas arrestimit të kryebashkiakut në detyrë Erion Veliaj, në garë socialistët do të hedhin Ogerta Manastirliun, kandidatura e së cilës u prezantua sot nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë e PS. Zgjedhje do të zhvillohen edhe në Vlorë, ku Ermal Dredha dha dorëheqjen e papritur vetëm një ditë më parë. Gjithashtu edhe Cërriku pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme për bashkinë, pasi kryetari aktual Andis Salla u zgjodh nga Rama për të qenë ministri i ri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ndërkohë, zgjedhje do të ketë edhe në Berat, Tepelenë dhe Mat, ku ish-kryetarët u zgjodhën si deputetë të rinj të Parlamentit më 11 maj dhe presin të betohen nesër në seancën e Kuvendit. Tashmë mbetet për t’u caktuar vetëm data e zgjedhjeve lokale të parakohshme me dekret të presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
/ZËRI