TIRANË-Një shpërthim me tritil është regjistruar në orët e para të mëngjesit Tiranë. Lënda plasëse ka shpërthyer në katin e parë, në derën e një banese në rrugën “Sadik Petrela”.
Nga të dhënat paraprake, bëhet me dije se sasia e tritolit ka shpërthyer në derën e banesës së një gruaje të divorcuar, e cila jetonte së bashku me dy djemtë e saj. Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa ende nuk dihen rrethanat dhe motivet që mund të kenë çuar në vendosjen e lëndës plasëse.
Pronaria e banesës është marrë në pyetje nga grupi hetimor. Ajo ka deklaruar se nuk ka dijeni se kush mund të jetë personi që ka vendosur lëndën plasëse.
Njoftimi i policisë:
Më datë 14.11.2026, rreth orës 02:50, në rrugën “Sadik Petrela”, ka shpërthyer një sasi e vogël e dyshuar lënde plasëse e vendosur në derën e jashtme të apartamentit të shtetases A. M., 47 vjeçe.
Si pasojë janë shkaktuar dëme të vogla materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për identifikimin dhe kapjen e autorit dhe dokumentimin e plotë të rastit.