ELBASAN-Pas më shumë se 17 orësh kërkimesh të pandërprera, është gjetur i pajetë nën rrënojat e pallatit 69-vjeçari Hamit Ibra, i cili rezultonte i zhdukur që prej momentit të shpërthimit në apartamentin në Elbasan, ngjarje e ndodhur pasditen e 4 nëntorit. Humbja e jetës së 69-vjeçarit, thellon bilancin, duke u bërë viktima e dytë, pas 82-vjeçares Hatixhe Berisha e cila humbi jetën si pasojë e zjarrit.
Shpërthimi ndodhi në pallatin pesëkatësh në lagjen “Beqir Dardha” ndërsa flakët e nisura në katin e tretë u përhapën me shpejtësi në të gjithë ndërtesën, duke dëmtuar rëndë banesat, muret dhe duke shkaktuar shembje. Tre kate të pallatit janë bashkuar me njëri-tjetrin.
Në operacion u përfshinë dy ekipe të specializuara kërkim-shpëtimi, me gjithsej 17 efektivë, të cilët punuan gjatë gjithë natës për lokalizimin e 69-vjeçarit. Për realizimin e operacionit u përdorën pajisje dhe mjete të specializuara, përfshirë kamera termike, kamera kërkimi, pajisje për prerjen e betonit dhe jastëkë ajri për ngritjen e strukturave të rënda.
Kërkimet për 62-vjeçarin u ndërprenë mbrëmjen e djeshme me vendim nga ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqet ndërtesa. Operacioni rifilloi sot në orët e para të mëngjeit, por fatkeqësisht Hamit Ibra, u gjet i pajetë.
Paraprakisht, dyshohet se shpërthimi i fuqishëm është shkaktuar nga një bombol gazi, megjithatë ende nuk ka një version zyrtar. Pallati është tërësisht i pabanueshëm./ZËRI