TIRANË- Një grup protestuesish mes tyre edhe një prej organizatorëve të tubimeve Arben Kola janë paraqitur pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku kanë kërkuar shpjegime për shoqërimin e aktivistëve Dritan Goxhaj dhe Edison Lika.
Kola ka kundërshtuar veprimet e policisë duke i cilësuar të padrejtë shoqërimet e protestuesve. Ai deklaroi se njoftimi për zhvillimin e protestave është bërë që prej 31 majit dhe se lëvizja do të vijojë pa një afat të përcaktuar.
Aktivisti ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi procedurat e ndjekura nga policia për shoqërimin e qytetarëve duke argumentuar se ata duhet të njoftohen fillimisht për t'u paraqitur në komisariat. Kola kundërshtoi edhe gjobat e vendosura ndaj protestuesve të cilat i cilësoi si të pabazuara në Kushtetutë.
“Nuk ka kërcënim, nuk ka shantazh që do ta rrëzojë këtë lëvizje popullore deri në rrëzimin e Ramoviçit, që ta kuptojnë të gjithë shqiptarët. Drejtoria është përgjegjëse, duke qenë se ne e kemi bërë njoftimin që më 31 maj dhe është në vazhdimësi, pa afat.
Duke qenë se janë arrestuar pa të drejtë, përveç tyre edhe mbrëmë janë shoqëruar disa të tjerë, duam shpjegim. Në këtë rast janë arrestime.
Sepse shoqërimi, për shembull, mua më thirrën, thirrën Altinin edhe shumë të tjerë. Çdo njeri prej nesh ka një kartë identiteti, ka një numër telefoni, e-maili, ka një adresë. Dhe në rast se ti e fton një qytetar shqiptar dhe ai nuk të vjen në stacionin policor, atëherë ti mund ta shoqërosh. Por për sa kohë ti nuk e njofton, nuk ke të drejtë për ta shoqëruar.
Gjobat janë qesharake, nuk janë të bazuara në Kushtetutë”, është shprehur Arben Kola./ZËRI